20 dhjetor 2010

Cana "skuqet" pas një kacafytjeje masive

Stamboll, 20 dhjetor - Mesfushori kosovar, Lorik Cana, është ndëshkuar me karton të kuq të dielën në ndeshjen që Galatasaray e fitoi si mysafir i Konyasporit me rezultatin 1:0. Ai ishte pjesëmarrës në një kacafytje masive mes futbollistëve të të dyja palëve, shkruajnë mediumet turke, të dielën. Incidenti ndodhi në çastet e fundit të ndeshjes kur pas një krosimi nga gjuajtja e lirë u faullua portieri i Galatasarayt, Aykut Erçetin. Tollovia ndodhi në 16-metërshin e Galatasarayt. Cana u kacafyt me mbrojtësin e Konyasporit, Mahamoudu Kere, ndërsa më pas filloi një kacafytje masive mes të dyja palëve që zgjati për pak çaste. Cana dhe Kere u përjashtuan me kartonë të kuq pas këtij incidenti, ndërsa me kartonë të verdhë u ndëshkuan edhe dy futbollistët e Konyasporit, Emre Toraman e Veli Acar si dhe portieri i Galatasarayt, Erçetin. Për Canën ky ishte kartoni i parë i kuq në Kampionatin turk. Ai deri më tash është ndëshkuar edhe me tre të verdhë.

Ndeshja mes Konyasporit dhe Galatasarayt, ishte e vlefshme për javën e 17-të të Superligës së Turqisë në futboll. Galatasaray me fitoren e shënuar është ngritur në pozitën e nëntë me 23 pikë. Ligën e kryeson Trabzonspori me 42 pikë.

Cana 27-vjeçar në radhët e Galatasarayt u transferua në verën e këtij viti nga Sunderlandi për 4.5 milionë euro. Ai ka kontratë me skuadrën nga Stambolli deri në verën e vitit 2014.