22 dhjetor 2010

Cana, keqardhje për kartonin e kuq, i kërkon falje skuadrës

Pas ndeshjes me Koniasporin, shqiptari pendohet për nervozizmin e shfaqur

Në fushën e lojës është mes më luftarakëve, ndërsa njihet edhe për faktin se nuk hap asnjëherë rrugë kur në fushë ka tension. Ky “defekt” në karakterin e tij i ka kushtuar shtrenjtë Lorik Canës, që është ndëshkuar me kartonin e parë të kuq në aventurën te Gallatasarai në Superligën turke. Mesfushori shqiptar është përfshirë në një zënkë masive në sekondat e fundit të ndeshjes me Koniasporin gjatë fundjavës, ndërsa gjyqtari kryesor e dërgoi në dush përpara kohe. Skuadra e George Haxhit fitoi tri pikë të arta në transfertë, falë golit të Anil Dilaver në të 81-tën, por Cana nuk e ka kapërdirë lehtë faktin që la skuadrën në inferioritet numerik dhe që nuk do të japë kontributin e tij në ndeshjet e ardhshme. Menjëherë pas fërshëllimës finale, kur lojtarët e Gallatasarait hynë në dhomat e zhveshjes, “shkatërruesi” kuqezi qëndroi përpara shokëve të ekipit dhe u ka kërkuar të gjithëve falje. “Më vjen keq për atë që ndodhi. Ishin nervat e momentit, dhe pagova një çmim të lartë për sjelljen time. Dua t’ju kërkoj falje të gjithëve për atë që ndodhi”, ishin fjalët e 27-vjeçarit. Tensioni në fushë erdhi pas një sulmi të Gallatasarait, ku në fushë mbeti i dëmtuar portieri i ekipit vendas, Tokgoz. Fillimisht në zonën e Koniasporit ndodhi një zënkë e madhe mes disa lojtarëve, por shqiptari i cili ishte më aktivi në kontaktin fizik, mori ndëshkimin më të rëndë.

Për kartonin e kuq direkt, mediat turke kanë bërë të ditur se mesfushori shqiptar pritet të mungojë dy ndeshje. Gjithsesi, më parë pritet të mësohet vendimi i Disiplinorit në Federatën Turke. Deri më tani, e vetmja gjë që mund të thuhet me siguri është se Cana nuk do të zbresë në fushën e lojës në sfidën e sotme që Gallatasarai do të luajë në fushën e Gaziantepsporit, në Grupin A të Kupës së Turqisë.