13 dhjetor 2010

Bufon-Juve, aromë lamtumire

Deklarata e trajnerit Luixhi Del Neri nuk i ka pëlqyer aspak agjentit të Bufonit, duke krijuar një situatë tensioni. Bajerni, Mançester Junajtid dhe Siti “bëjnë sytë katër”.

“Me mua të gjithë janë të barabartë. Luan ai që e meriton: kjo vlen për Del Pieron, për Amaurin, për Sorensenin, për Motën apo edhe për Bufonin”. Fjalët e trajnerit Del Neri në konferencën e djeshme për shtyp para sfidës me Lacion nuk kanë lënë shije të mirë te Xhixhi Bufon, aktualisht në fazën e fundit të riaftësimit pas operacionit në shpinë.

“Nuk meriton të trajtohet në këtë mënyrë”, deklaroi menaxheri i portierit italian. Tensioni ndjehet në ajër në mjedisin bardhezi, ndërkohë që për “gardianin” nuk mungojnë alternativat në rast largimi nga Torino. Mançester Junajtid, Mançester Siti dhe Bajerni i mynihut evidentohen si destinacionet e mundshme për 32-vjeçarin.

Ndërkohë, mediat italiane kanë filluar të hedhin hipotezat e para për zëvendësuesin e Bufonit nëse ky i fundit vendos t’i japë lamtumirën “Zonjës”. Sirigu i Palermos, slloveni i Udinezes, Handanoviç dhe Viviano i Bolonjës shihen si alternativat më të mundshme për të zbarkuar në Torino.