13 dhjetor 2010

Anjeli: Fitoret janë në ADN-në e Juves, në janar blejmë një yll

Presidenti qetëson ambientin edhe për rinovimin e Del Pieros

Andrea Anjeli flet në 360° për Juventusin e tij. Presidenti i klubit bardhezi ka zbuluar ambiciet për trofe, foli për synimin që skuadra të përforcohet gjatë merkatos së janarit, si edhe dha garanci për qëndrimin e Alesandro Del Pieros. “Kemi një jetë që njihemi me Aleksin, ai gëzon vlerësimin dhe admirimin tim. Kur të vijë momenti i përshtatshëm, do të diskutojmë për të ardhmen. Duke qenë se është 36 vjeç, dua të kuptoj si do të jetë pas gjashtë muajsh dhe jo sot. Gjithsesi, mendoj se nuk do të kemi pengesa”, - tha Anjeli. Gjatë merkatos nga skuadra pritet të largohen Sisoko dhe Salihamixhiç, ndërsa nevojiten një mbrojtës dhe një sulmues, për të cilët mund të investohet prej janarit. “Një yll për Juven? Ndoshta që prej janarit. Nëse krijohen kushtet e favorshme mund të bëjmë blerje në merkaton e dimrit”. Një tjetër temë është fitorja e titullit: “Historia na detyron të fitojmë, kjo është ADN-ja jonë. Sipas statistikave, triumfojmë në kampionat çdo 4 vjet, por nuk mund të them se do të fitojmë prej këtij sezoni, sepse do ishte tallje me tifozët”. GRANDE-JUVE.TK