16 dhjetor 2010

Asnjë fitore e Juves në Europa League


Juventusi ka mbyllur fushatën në Europa League me asnjë fitore, por njëherit nuk ka regjistruar asnjë humbje, duke barazuar në gjashtë ndeshje.

Barazimi i fundit ishte të enjten mbrëma në Torino kundër Manchester Cityt, skuadër me të cilën barazoi me rezultat 1-1.

Bardhezinjtë kaluan të parët në epërsi, përmes Niccolo Giannetti, i cili shënoi pas asistimit të Alex Del Pieros (43’).

Mirëpo, ‘pasanikët’ nuk lejuan që ta humbin vendin e parë në Grupin A dhe në minutën e 77-të barazuan rezultatin përmes Jo.

Pas xhiros së fundit, City i prin Grupit A me 11 pikë, po aq sa ka Lech Poznan në vendin e dytë, pas fitores së të enjtes si mysafir i Salzburgut. Ndërkaq Juventusi me gjashtë pikë në vendin e tretë, luajti ndeshjen e fundit në këtë garë për këtë sezon.

Nga Grupi B kualifikohen Leverkusen dhe Aris Thessaloniki, ndërsa nga Grupi C vazhdojnë garën Sportingu dhe Lille. /