02 gusht 2009

Xhemajli me orë të numëruara

Blerim Xhemajli, shqiptari nga Maqedonia me pasaportë zvicerane, që luan për Torinon e saporënë në Serinë B, është shumë pranë kalimit te Palermo. Përfundimi i kësaj tratative është çështje orësh. Këtë e konfirmojnë burime pranë klubit Torinez. Ndërkohë që edhe vetë lojtari është shumë i interesuar që të kalojë në radhët e skuadrës siciliane në Serinë A. Askush deri dje në shtëpinë e Toros nuk kishte kurajën ta thoshte hapur se djaloshi i ka të numëruara orët granata. Për këtë ka menduar shoku i skuadrës, Rubin, i cili është rrëfyer në një prononcim të dhënë, në të cilin fliste edhe për shqiptarin nga Maqedonia. "Blerimi më ka thënë se shumë shpejt do të transferohet në Sicili dhe operacioni do të bëhet, sepse e kërkon Zenga. E di, dëshira e tij është të veshë bluzën e Palermos", nënvizoi Rubin. Për Xhemajlin interesohen edhe disa skuadra angleze, por destinacioni duket se do të jetë Sicilia.