02 gusht 2009

Cana: Zemra në Marsejë, shpirti te Sandërlend

Blerja e re e Sandërlendit, Lorik Cana, e pranon se zemra e tij do të mbetet përgjithmonë tek ish-skuadra, Olimpiku i Marsejës, por insiston se nuk ndjen asnjë keqardhje për transferimin në "Stadium of Light". Trajneri i "Maceve të Zeza", Stiv Brus, është shprehur shumë i kënaqur për lehtësinë befasuese më të cilën ka mundur të marrë mesfushorin shqiptar nga francezët. Cana ka kaluar katër vite te Marseja, dy të fundit si kapiten. Kjo e bën mesfushorin 26-vjeçar shumë të lidhur emocionalisht me klubin francez. Por Cana është i entuziazmuar për sfidën që ka përpara. "Gjërat që kam përjetuar te Marseja do të jetë e vështirë t‘i përjetoj sërish diku tjetër. Unë do të qarkulloj gjithmonë në këtë rajon, por Olimpiku i Marsejës do të jetë klubi im përgjithmonë. Megjithatë, tani dua të provoj një kampionat tjetër, një sfidë tjetër dhe kjo do të jetë më mirë për mua. Nuk ndjehem i penduar", ka thënë shqiptari. Për sa i përket tratativave për blerjen e Canës ka dhënë mendimin e tij edhe trajneri Brus. "Ndodhi kaq shpejt", u shpreh ai. "Unë nuk e kisha menduar se do të binim dakord kaq shpejt për rrogën, nuk besoja se do të arrinin kaq shpejt marrëveshjen. Ai erdhi të na takonte në Amsterdam dhe i pëlqeu ajo çfarë ne i thamë", vazhdoi menaxheri i Sandërlendit. "Pasi folëm me Lorikun, ne takuam edhe të atin. Brenda tij pamë diçka që e bindi ta pranonte këtë sfidë. Ai vendosi të firmosë me ne brenda 24 orëve. Nënshkrimi me të në Amsterdam ishte diçka e madhe për ne. Aty u duk se ai dëshironte të vinte", zbuloi më pas tekniku Brus. Ai shtoi më pas se "kishte edhe disa klube të tjera, ku ne menduam se ai mund të shkonte, por kur na zgjodhi ne, ishte një moment fantastik. Pozicioni ynë gjeografik është problem i madh për shumë njerëz, por nuk ishte problem për të. Ai thjesht dëshironte të vinte dhe të luante futbollin e tij", përfundoi trajneri i Sandërlendit.