02 gusht 2009

Pirlo te Çelsi, Berluskoni: Nuk di gjë!

Sipas shtypit anglez, mesfushori paska arritur një marrëveshje me londinezët, por presidenti kuqezi befasohet
Silvio Berluskoni përgënjeshtron burimet mbi një shitje të mundshme të klubit të Milanit dhe ndihet “i befasuar” nga lajmet që qarkullojnë në shtyp për shitjen e Andrea Pirlos. “Janë të gjithë histori, nuk ka asnjë të vërtetë”, - tha Kryeministri i Italisë gjatë një takimi në Romë. Për sa i takon mesfushorit kuqezi, aq shumë i kërkuar nga blutë e Londrës, Berluskoni shpjegoi: “Nuk di asgjë, nuk kam folur me Galianin. Edhe unë e mora vesh nga gazetarët lajmin mbi kalimin e mundshëm te skuadra e Ançelotit dhe mbeta i surprizuar”. Po ashtu, numri një i klubit të “Djallit”, ka mbetur i befasuar edhe kyr e pyesin nëse skuadra kuqezi ka ndër mend të blejë qendërsulmuesin holandez të Real Madridit, Klas Jan Huntelar. “Nuk e njoh, - pranon Berluskoni, - nuk më rezulton se e njoh”. Kir i bëjnë të ditur që tifozët kuqezinj janë akoma inferiorë në krahasim me fitoret e INterit, Berluskoni replikon: “Tifozëve u them që kemi qenë dhe jemi skuadra numër një në botë. I dëgjova deklaratat e Leonardos (kërkoi një sulmues dhe një mbrojtës) kur ishte në SGBA, gjithçka shkon mirë”.
Për sa i takon çështjes mes Çelsit e Andrea Pirlos, duket se të dyja palët kanë arritur një marrëveshje mbi kontratën pas një takimi në Londër të Lulio Tintit, menaxherit të lojtarit që në këtë fazë po bën ndërmjetësin. Bëhet fjalë për një kontratë 4-vjeçare me 6 milionë euro në sezon për lojtarin. Praktikisht, e njëjta shifër që Pirlo merr te Milani, por me dy sezone më shumë kontratë. Klubi i Abramoviçit edhe i paska riformuluar propozimin kuqezinjve për blerjen e Pirlos: 16 milionë euro plus Pizarron, sipas shtypit anglez. Ofertë e rëndësishme që në këto orë në klubin kuqezi po vlerësohet me kujdes, si në aspektin taktik (31-vjeçari Pizarro pëlqehet nga Leonardo), ashtu edhe ekonomik. Brenda fundjavës duhet të merret një vendim nga ana e Silvio Berluskonit, që dje ka bërë “të habiturin” mbi këtë çështje, ndonëse synon ta shesë nga ana tjetër dhe të investojë te një sulmues më i ri me rrogë më të ulët. Thelbi është që lëvizjet e fundit e shohin Pirlon drejt Londrës, i vendosur për t’u shitur, para së gjithash pasi ka arritur një marrëveshje me Çelsin. Brenda dhe rreth skuadrës kuqezi në këto orë po vijnë sinjale që sjellin lamtumirën e mesfushorit shumë shpejt. Madje pas ndeshjes miqësore në Gjermani ndaj Bajernit të Mynihut, lojtari i paska përshëndetur para kohe shokët e skuadrës, duke u lënë të kuptojnë që në fillim të javës që vjen, me rifillimin e stërvitjes, do të mungojë në Milanelo. Është e vështirë në këtë aspekt që të ketë pengesa në bisedimet mes Milanit dhe Çelsit, ose ndonjë ndryshim strategjie i klubit kuqezi, që pas Kakàsë, e konsideronte Pirlon një luks dhe një vlerë të tepërt në kuadër të një projekti të ri, që për momentin nuk parashikon blerjen e një zëvendësuesi në këtë rol, edhe pse kuqezinjve iu afrua Ledezma i Lacios.