01 gusht 2009
"Kërcënimet e Ibrës me sms"
Zlatan Ibrahimoviç është sërish në Los Anxhelos: tri janë ndryshimet kryesore në krahasim me fazën përgatitore interiste të pak javëve më parë: ka veshur bluzën e Barcelonës, ka njërën dorë të lidhur, ka një buzëqeshje të madhe të stampuar në fytyrë. Ibra e dëshironte këtë transferim me çdo kusht: një gjë e tillë ishte vënë re, por "La Vanguardia", gazeta katalanase, shkon përtej kësaj çështjeje dhe zbulon disa prapaskena, të bërë të ditura nga burime anonime në brendësi të klubit, që flasin për një aktivitet të gjatë diplomatik përmes sms-ve. E gjithë historia ka nisur në verë: Ibra fillon menjëherë të punojë për të kaluar te Barcelona, me një aktivitet të rëndësishëm telefonik. "Dërgonte mesazhe çdo orë, duke shpjeguar se çfarë mendonte se mund të bënte ai vetë", ka zbuluar një burim anonim brenda klubit për "La Vanguardia". Aktiviteti i sms-ve shtrihej në drejtime të ndryshme: drejt klubit katalanas, por edhe drejt Masimo Moratit: "Ma ke premtuar, më ke thënë se nëse Barça do të më kërkonte, do të më lejoje të largohesha", shkruhet në të përditshmen spanjolle. Konfirmohet se tratativa nuk ka qenë e lehtë, shpeshherë ka rrezikuar të hidhet në erë dhe Zlatan nuk mund ta pranonte një gjë të tillë: "Tani do të rebelohem", kishte thënë, gjithmonë nëpërmjet mesazheve, në një moment tensioni të lartë, ndërsa nga Barcelona e ftonin të ishte më i duruar. Megjithatë, tregon "La Vanguardia", edhe posta e mesazheve të ardhura ishte e ngarkuar. Hose Murinjo, duke bërë shaka i shkruante "Traidor" (tradhtar) dhe ai i përgjigjej në spanjisht "makaronaxhi". Pastaj gjithçka është zgjidhur, Ibra është shndërruar në "njeriun më të lumtur në botë" dhe tashmë është një lojtar i Barçës. Gjithnjë të njëjtat burime zbulojnë se në shtëpinë katalanase janë befasuar nga dimensioni i egos së Ibrahimoviçit ("Është ego e jashtëzakonshme"), por edhe me vullnet të hekurt ("ka bërë sakrifica ekonomike të rëndësishme për të ardhur këtu, dhe ka hequr dorë nga të qenit lojtari më i paguar në botë"). Më pas Zlatan ka zbuluar edhe lidhjen e fortë me familjen përmes tatuazheve: "Në një pjesë të trupit kam emrat e familjarëve më të afërt, kështu që, shkelmat që marr, i ndiejnë edhe ata". Pastaj dragoi që i jep forcë dhe gjysmë pema gjinekologjike. Në fund, te Barcelona flasin për "kokëfortësinë" e tij, të cilën e trashëgon nga e ëma: duket se suedezi, kur u bë milioner, ka luftuar gjatë për ta bindur të linte punën si pastruese. Por në fund e fitoi edhe këtë betejë.