01 gusht 2009
Kaseres do luajë me nr. 2: Jam këtu vetëm për të fituar
22-vjeçari Martin Kaseres ka kaluar me shumë sukses vizitat mjekësore dhe tashmë është i gatshëm të vihet nën urdhrat e trajnerit Çiro Ferrara. Mbrojtësi uruguajan, i huazuar te “Zonja e Vjetër” nga skuadra e Barcelonës, do të veshë fanellën me numrin 2 për sezonin e ardhshëm, numri që për shumë vjet është mbajtur nga trajneri Çiro Ferrara, por edhe nga legjenda e mbrojtjes bardhezi, Klaudio Xhentile. Martin Kaseres, pas një eksperience jo shumë pozitive te Barcelona, e di mirë që ky është shansi i tij i artë për të vënë në dukje cilësitë reale që ka dhe premton se nuk do ta humbasë një shans të tillë. “Jam shumë i lumtur dhe pres me padurim të filloj aventurën time të re. Shpresoj që të mos zhgënjej asnjë nga drejtuesit, shokët e skuadrës dhe tifozerinë, - janë fjalët e para të 22-vjeçarit uruguajan. – Padyshim që pas Barcelonës të jem pjesë e Juventusit sigurisht që është një ëndërr shumë e bukur për mua. Në Torino mbërrij me sigurinë se me vete nga Katalunja kam sjell shpirtin fitues të skuadrës së Barcelonës, ndaj të njëjtat fitore të arritura në sezonin e kaluar kërkoj t’i realizoj sivjet me shokët e mi të rinj”, përfundon deklaratën e tij të parë si juventin Martin Kaseres. Ndërkohë, edhe menaxheri i tij, Daniel Fonseka, ish-sulmues i Juventusit në vitet ’90, ka shprehur bindjen se Kaseres do të fitojë shumë shpejt zemrat e tifozerisë bardhezi. “Është një lojtar që nëse do të ambientohet shpejt me skemat e Ferrarës, do ta ndihmojë shumë repartin e mbrojtjes juventine. Kam bindjen se ai nuk do të zhgënjejë asnjë në Torino dhe do të ketë një karrierë të gjatë e të pasur me suksese në Serinë A”, thekson menaxheri Daniel Fonseka.