28 gusht 2009

Kakà: Derbin do ta fitojë Milani 2-0

Fantazisti brazilian ka bërë të ditur se të shtunën në mbrëmje do të mbështesë ish-shokët e skuadrës

Rikardo ka sy artisti. Në Milano banonte afër kishës “Santa Maria delle Grazie” aty ku ndodhet edhe monumenti “Darka e Fundit” e Leonardo da Vinçit, ndërsa në Madrid banon afër muzeut “Prado”. “Një sistemim i përkohshëm, në apartament. Po kërkoj për diçka përfundimtare, edhe që të ketë një oborr.

Ndoshta jashtë Madridit. Këtu më kanë thënë se kur të rifillojë sezoni i ri do të ketë trafik”. Rikardo Izekson dos Santos Leite, djali i vogël që e thërrisnin Riki dhe në Madrid i ritkhyer Kakà, ka kaluar një verë të çuditshme i ndodhur midis dy botëve. Tani ndihet mirë me fanellën e bardhë të veshur. Por nuk e ka puthur. “Nuk kam puthur asnjëherë një fanellë në jetën time, ndoshta atë të kombëtares. Dhe natën e prezantimit në “Bernabeu” e dija se kisha sytë e të gjithëve mbi vete dhe nuk doja të krijoja polemika”.

-Çfarë do të mbani mend nga kjo verë?

- Në fillim nuk ka qenë e lehtë, por unë kam kërkuar gjithmonë të kuptoja arsyet e transferimit tim. Kemi gjetur zgjidhjen më të mirë për të gjithë. Nuk kam asnjë mëri ndaj Milanit, ndihem mirë këtu. Eshtë një vend shumë i bukur. Në fillim ka qenë e çuditshme.

- Kishit thënë “nuk do të largohem kurrë”.

- Askush nuk mund të imagjinonte atë që ka ndodhur. Kriza ekonomike, Milani jashtë Championsit për një vit. Gjërat ndryshojnë, por unë kam qenë gjithmonë i sinqertë dhe besoj se tifozët e kanë kuptuar këtë. Dhe unë këtu jam i lumtur. Qyteti është i bukur, gruaja dhe djali im ndihen mirë.

- Ndërsa, Milani nuk ishte dhe aq mirë. Faza përgatitore ka shkuar shumë keq.

- Po, por në ndeshjen e parë që kishte rëndësi i kam parë mirë. Janë të fortë dhe do të luftojnë për titullin në kampionat. Jam i kënaqur për Dinjon, që po rikthehet në nivelet e tij, dhe për Leonardon e Paton, që ka një të ardhme të madhe përpara vetes. Vë bast për të si protagonist i këtij kampionati. Më pas ka qenë emocionuese të rishihje Nestën dhe Rinon pas dëmtimeve. Për mua janë miq: kudo që të jem, do të bëj tifo për ta.

- Keni folur më me Berluskonin?

- Jo, por e falënderoj edhe atë për çka ka bërë për mua.

- Çfarë mendimi keni për shpenzimet e mëdha të Realit?

- E rëndësishme është që secili të njohë limitet e veta ekonomike. Më duket se Florentino e di shumë mirë atë që po bën. Pastaj, edhe Mançester Siti nuk është kursyer. Dhe Laporta pasi ka kritikuar Realin ka marrë Ibrën, duke shpenzuar më shumë nga sa ka shpenzuar Florentino për mua.

- Nuk ju tremb idea që ndodheni në një skuadër yjesh?

- Nuk është hera e parë për mua. Kombëtarja braziliane është e mbushur me yje, edhe kur kam shkuar tek Milani nuk bëhej shaka. Më pas, unë nuk jam xheloz për askënd, besoj se ka hapësira për të gjithë. Më pëlqen të vlerësohem për atë që bëj në fushën e lojës, jo për imazhin tim jashtë saj ose për femrat që frekuentoj dhe besoj se deri tani kam qenë koherent.

- Ju keni qenë gjithmonë në listën e super të dëshiruarve, por në futboll ka shumë njerëz që paguhen më shumë seç duhet dhe që lihen në stol. Holandezët e Realit, për shembull, apo Sheva tek Çelsi.

- Janë situata që të bëjnë të mendosh. Në futboll gjithçka mund të ndodhë, rivaliteti është shumë i madh. Duhet të jesh i aftë të përshtatesh me situatat që ndryshojnë, por është e vështirë.

- Ka ndryshuar edhe për Huntelarin, që është tek Milani dhe tifozët nuk e kanë marrë mirë që ju jeni zëvendësuar nga holandezi.

- Nuk mund të shikohet kështu kjo çështe. Huntelar është një lojtar i ndryshëm. I aftë dhe profesional, kam parë se çfarë qëndrimi ka mbajtur ai në javën e vetme, që kemi kaluar bashkë. Stërvitej mirë edhe pse ishte e vështirë për të.

- Çfarë efekti ju bën të shikoni Borrielon me numrin 22?

- E mbante edhe tek Xhenoa. I kam thënë: ‘Nëse e doje kaq shumë, mund të kishim përdorur të njëjtën fanellë’. Përveç shakave, shpresoj t’i sjellë fat.

- Çfarë efekti do të kenë tek Ronaldinjo presionet dhe përgjegjësia?

- Do t’i bëjnë mirë, ai karikohet në këtë mënyrë. Kam jetuar bashkë me të shumë histori të Botërorit në 2002-in dhe e kam parë gjithmonë të reagojë ndaj presioneve. Në momentet e rëndësishme Dinjo është gati.

- Do t’iu mungojë derbi?

- Shumë, por do të jem në fushë për ndeshjen e parë të kampionatit spanjoll kundër Deportivos. Do të më duhet të kënaqem vetëm duke pyetur për rezultatin.

- Kush do të fitojë?

- Milani 2-0, gol i Patos pas një pasimi të Dinjos ose ndoshta të Tiago Silvës, më pas dyfishim i rezultatit me Nestën, një gol si ai në Jokohama, kur jemi shpallur kampionë.

- Do t’iu pëlqente menjëherë një sfidë Milan-Real në Champions?

- Jo, aspak. Dhe nuk do të doja të përballesha as me Çelsin, sepse jam shumë i lidhur me Karlo Ançelotin. Sa më vonë të ndohë aq më mirë është.

- Nëse do t’i shënonit gol Milanit do të festonit?

- As që dua ta mendoj.

- Një penallti do ta gjuanit?

- Jo. Nëse është e nevojshme, do të mendojë Kristiano Ronaldo.