20 dhjetor 2010

Mavraj nuk është më i nevojshëm në Bochum

Prishtinë, 20 dhjetor - Skuadra e Bundesligës 2 të Gjermanisë, Bochum, më nuk llogarit në shërbimet e mbrojtësit kosovar Mërgim Mavraj. Kështu është bërë e ditur nga krerët e klubit të dielën. Mavraj dhe Marc Pfertzel do të largohen në janar, nëse nuk ndodh kjo, atëherë do të aktivizohen me skuadrën e dytë të Bochumit.

"Vfl Bochum ka vendosur që për arsye sportive të largojë dyshen defensive Mërgim Mavraj e Marc Pfertzel. Dyshja më nuk luan rol dhe nuk është në planet e trajnerit Friedhelm Funkel. Në afatin e janarit duhet të gjejnë angazhim të ri për ta. Përndryshe Pfertzel e Mavraj në të ardhmen do të stërvitin me skuadrën e dytë të Bochumit", përcjell faqja zyrtare e klubit të dielën.

Këtë vendim për dy futbollistët e ka marrë kryesia e klubit dhe ua ka kumtuar atyre në fundjavë.

Trajneri i Bochumit, Funkel, nuk është ndarë i kënaqur me paraqitjet e Mavrajt këtë stinor. Veçanërisht ai ishte inatosur me kosovarin në humbjen 4:1 nga Ingolstadti, ku dy nga katër golat ishin pësuar faji i Mavrajt.

Mavraj 24-vjeçar në radhët e Bochumit ishte transferuar në verën e vitit 2007 nga Darmstadti për 350 mijë euro. Ai ka kontratë me Bochumin deri në verën e vitit 2011. Më herët interesim për shërbimet e Mavrajt kishte treguar Bayer Leverkuseni.

Mavraj konfirmon se do të largohet nga Bochumi, mirëpo thotë se arsye për këtë është kriza financiare në të cilën gjendet skuadra.

"Klubi ka nevojë për para dhe ka vendosur të më shes gjatë afatit kalimtar të janarit. Ka shumë skuadra të interesuara për mua, por ende nuk e di se cila do të jetë skuadra ime e ardhshme", ka thënë Mavraj, për gazetën.

Pos Mavrajt në radhët e Bochumit aktivizohet edhe mesfushori kosovar, Faton Toski.

Bochumi pas 17 javëve të zhvilluara në Bundesligën 2 të Gjermanisë mban pozitën e tetë me 28 pikë.