14 dhjetor 2010

Krasiç, jo euforik: Me Juven shkohet larg

Kapiten Kielini në delir: Rrokada? Milani po luan një kampionat më vete, por në 2011-ën nis mësymja

Në frymën e fundit, Millosh Krasiç! Por ç’donte të bënte? Të krosonte apo godiste? “Dhe çfarë rëndësie ka”, - është ulërima e tifozëve bardhezinj. “Olimpiko” dridhet, është festë e madhe në fushë. Të gjithë që përqafojnë Sisokon, sepse vertikalizimi për Krasiçin ishte i tij. Sapo hyri në fushë, por menjëherë u përshtat me ndeshjen gjiganti nga Mali. Është forca e Juves, e bashkuar, cinike. Xhixhi Del Neri shijon “krijesën” e tij, grup i bashkuar dhe tri pikë që peshojnë.

“Po, - thotë kapiten Kielini, - mund të jetë rrokada e një sezoni të tërë”. Por heroi është Krasiç. “Jam i lumtur, - thotë serbi, - janë tri pikë që kanë shumë rëndësi për ne. Besojmë gjithnjë deri në fund. Juvja e meritoi këtë rezultat. Ishte një Juventus i bukur, dhe kjo më bën akoma më të lumtur se goli që shënova”. Po, kështu mund të shkojmë vërtet larg, por nuk mund të mendojmë se kemi plotësuar rritjen tonë. Le t’i marrim ndeshjet me radhë”.

Juventusi nuk humb më: janë 12-të rezultatet pozitive radhazi në kampionat. “Jemi të dytët, - ekzalton Kielini, - është shumë e bukur të qëndrosh aty lart. Dhe po përmirësohemi akoma. Megjithatë kjo kënaqësi nuk duhet të fshojë punën që kemi përpara. Lodhja e bërë gjatë javës paguhet. Është një hap shumë i rëndësishëm, vuajtëm, ishim një skuadër në çdo moment të ndeshjes dhe ia arritëm të godasim në momentin e duhur. Mund të bënim më përpara, por jo gjithnjë gjërat shkojnë siç duhet”.

Një finale thuajse e zemëruar, me Pepen që godet nga jashtë, Del Piero që detyron Muzlerën të bëjë mrekullinë dhe pastaj goli i Krasiçit. Entuziazmi i grupit është në “qiell”: “Qetësi, - predikon Kielini, - për momentin Milani po luan një kampionat më vete. Por është e vërtetë që ndaj Lacios fituam si një skuadër e vërtetë. Me meritë. Kundër një Lacioje të madhe”.

Të enjten është ndeshja e kotë e Ligës së Europës me Mançester Sitin, të dielën sfida në Veronë kundër Kievos, “dhe do të jetë e rëndësishme të marrim tri pikët, - përfundon Kielini. - Do të na shërbejë edhe në aspektin psikologjik që kur të shkojmë me pushime, të mendojmë për kreun për të nisur më pas sulmin tonë në 2011-ën”.