21 dhjetor 2010

Klose, “mollë sherri” Juve-Napoli

Ndërsa merkato e janarit do të japë goditjet e saj gjatë muajit të ardhshëm, puna në zyrat e klubeve italiane gjatë këtyre ditëve të pushimit zhvillohet me një ritëm tepër të lartë. Pas Cassano tek Milani, Klose për Napolin apo Juventusi mund të jetë një goditje madhore në treg.  

Përsa i përket merkatos së kryesuesve, nuk do të ketë mbërritje të reja tek Milani. Përkundrazi, nga skuadra pritet të largohet mbrojtësi Onyeëu, i pretenduar nga Hofenhaim-i në Gjermani, Bazel apo Standart Liezh.

Fokusi i Juventusi është gjithashtu tek sulmi. Pinilla, Maxi Lopez, Pizarro apo Klose. Nëse do të arrihet shitja e Sissoko-së për disa milionë tek Bajerni, atëherë torinezët do të kenë paratë e nevojshme për të pretenduar Gilardino-n e Fiorentinës. Matri, Pazzini, Benzema mbeten ëndrra, nëse nuk do të ketë zhvillime të reja. Criscito, Manfredini e Santacroce ndiqen për të përforcuar krahët e mbrojtjes.

Tek Interi duhet kuptuar më parë nëse do të qëndrojë apo jo Benitez-i. Merkato mund të përcaktohet shumë prej kësaj. E sigurt duket në këtë moment vetëm mbërritja e Ranocchia-s, mbrojtësit të Genoa-s, të cilin zikaltërit e zotërojnë në bashkëpronësi.

Nëse dëgjon spekulimet që vijnë prej mediave britanike, Beckham do të luajë në muajt e ardhshëm tek Roma, ndërsa Adriano duhet të qëndrojë. Goditja e verdhekuqve kërkohet mes Eboue-së së Arsenalit dhe Behramit të Uest Hamit.

Klose, Sissoko, Papastathapoulos e Britos qarkullojnë të gjithë në orbitën e Napolit, klubit që mund të bëhet protagonist i kësaj merkatoje. Lazio është përqendruar tek Santon e Ziegler ndërsa Palermo fokusohet tek Rakitic i Schalke dhe Andjelkovic, talenti 23-vjeçar i Maribor-it.