02 gusht 2009

Milito, një “Princ” i thjeshtë tek Interi

Argjentinasi tregon përshtatjen e shpejtë me zikaltrit: Pas pak unë dhe Eto do të kuptohemi në ajër

Për Diego Militon të shënojë gol është sikur të bëjë xhiro me biçikletë. Mjafton ta mësosh herën e parë dhe nuk e harron më. Aty ku e vendos, ‘Princi” shënon. Dygolësh të dielën e shkuar ndaj Milanit, gol vendimtar të enjten ndaj Monakosë. Një “bomber” që ndoshta nuk do të shënojë me thembër ose me goditje “taekëndoo”, por që shënon gola “të çuditshëm” dhe që i bën të duken të tillë, edhe ata që s’janë. Dhe pastaj një punë e madhe për skuadrën, me të cilën ndër të tjera duket sikur luan prej vitesh.

- Milito, u mësuat tani duke shënuar?

- Unë jam i kënaqur për rezultatin, por gjëja që ka më shumë rëndësi në këto momente, është që të rritet përshtatja me shokët dhe Etonë.

- Si e gjykoni daljen e parë dyshe me kamerunasin?

- Përshtypjet janë të mira, ai erdhi këtu me përulje, pavarësisht se është një kampion, që ka fituar shumë. Është i zoti para së gjithash të çajë i vetëm mbrojtjen kundërshtare, por kishim bërë vetëm një stërvitje së bashku. Na duhet akoma edhe pak për të bërë atë që dimë. Jam i sigurt që do të shkojmë për mrekulli.

- Ju vini nga një sezon ku luanit si sulmues i vetëm, me dy anësorë nga krahët.

- Diçka do të ndryshojë, duhet të përshtatem dhe sakrifikohem pak. Nuk kam luajtur ndonjëherë në krah të ndonjë sulmuesi tjetër, si te Saragoza, ashtu edhe me Argjentinën. Por s’ka asnjë problem.

- Kundër Monakosë, çfarë ju kërkoi të bënit Mourinjo?

- Na la liri në lëvizje për të gjetur pozicionin e duhur, por kërkon gjithnjë që të bëjmë presing në sekondat e para të zotërimit të topit nga ana e kundërshtarit.

- Pastaj do t’iu kërkojë golat?

- Ai është profesioni im. Dhe duke parë forcën në mbrojtje të skuadrës sonë, herët a vonë unë dhe Etoja duhet të shënojmë patjetër. Ky është një grup i bukur, i bashkuar. Mua më kanë pritur shumë mirë.

- Edhe pse ju ua shpërbleni duke shënuar golat vendimtarë.

- Ai në Monako ishte një gol i bukur, i rëndësishëm, sepse fitorja i jep besim e moral të gjithëve.

- Në ç’pikë është përgatitja juaj?

- Ndihem mirë, por forma më e mirë është akoma larg.

- Në Montekarlo erdhën edhe shumë tifozë nga Gjenova për ju dhe Tiago Motën.

- I falënderoj dhe jam i sigurt se me Palasion, Xhenoa do të jetë akoma argjentinase dhe do t’u japë kënaqësi tifozëve kuqeblu. Xhenoa ka qenë shtëpia ime prej vitesh dhe nuk mund ta harroj kurrë.