Sulmuesi zikaltër beson se skuadra e tij do të dalë fitmtare në përballjen e sotme kundër Milanit
Para se të shkonte në Milano, ka përjetuar dhe ka qenë protagonist në përballjen më spektakolare të Europës në nivel klubesh, Barcelona-Real Madrid. Sot do të ketë mundësinë të jetë protagonist dhe të përjetojë një tjetër sfidë po aq tërheqëse, siç është derbi Milan-Inter. Do të jetë në të njëjtën fushë me Ronaldinjon, por këtë herë si kundërshtar. Samuel Eto tregon se është gati: “Shpresoj të jetë një lojë e bukur dhe argëtuese për tifozët. Me gjithë respektin për Milanin, shpresoj të fitojmë ne”.
- Pikërisht, sepse në fund tifozët këtë duan apo jo?
- Të enjten në mbrëmje kam qenë në një restorant dhe më ka shërbyer një kamarier milanist, i cili më tha: “Mos shëno kundër nesh të shtunën!”. Pasi dola nga restoranti kam takuar një tifoz interist, i cili më tha: “Shëno një dygolësh të shtunën”. Eshtë bukur që në të njëjtin qytet egzistojnë dy tifozeri kaq të rëndësishme. Në Barcelonë kjo nuk ndodh, janë pothuajse të gjithë me Barçën.
- Në fakt derbi juaj ishte me Realin, çfarë kujtimesh ke nga kjo sfidë?
- Mund të them fitoren 6-1 për ne. Por ajo që më ka lënë më shumë mbresa ka qenë fitoria 3-0, herën e parë që kam parë me të vërtetë Kamp Noun. Në orën 10 të mëngjesit kemi shkuar aty për stërvitjen e fundit para ndeshjes dhe që në atë orë ka qenë i mbushur si të ishte mbrëmje, një situatë që të vë nën presion. Fatmirësisht në momentin e ndeshjes gjithçka kalon dhe mendon vetëm për lojën.
- Interi është skuadër favorite në këtë derbi?
- Nuk më intereson të jetë: ka qenë edhe Mançesteri para finales së fundit të Championsit…
- Si e prisni atmosferën e San Siros?
- E di që do të jetë i mbushur plot. Dhe fëmijëve të mi i them gjithmonë se sa me fat ndihem, sepse kam luajtur në Bernabeu, në stadiumin e Majorkës që më jep emocione të veçanta, në Kamp Nou dhe tani në San Siro. Nuk janë të shumtë ata që mund të thonë se kanë pasur një privilegj të tillë.
- Dhe në San Siro keni një kutjim të bukur…
- Jo shumë për faktin se me Realin kam fituar 5-1 kundër Milanit (1 gusht 2000), duke shënuar edhe një gol, por sepse në fund të asaj miqësoreje, pikërisht në stadium, kam nënshkruar kontratën me Majorkën.
- Do të ishte më e bukur një fitore kundër Ronaldinjos?
- Nuk luaj kundër Ronit, por kundër Milanit, për të mbrojtur Interin deri në vdekje. Dhe nuk besoj se Roni luan kundër meje.
- Eshtë e vërtetë se ai luan më mirë kur është më afër portës?
- Nuk më shqetëson pozicioni i tij, por fakti se zakonisht nuk gabon në ndeshjet e rëndësishme.
- Golin që nuk keni shënuar të dielën e kaluar, e keni ruajtur për derbin?
- Më thoni që unë nuk do të shënoj, por Interi do të fitojë kundër Milanit; jam gati të firmos për këtë.
- Eto, duke marrë parasysh se ju ka kërkuar edhe Kuperi vite më parë, mund të thuhet se keni shkuar tek Interi me vonesë…
- Eshtë e vërtetë, por nuk është kurrë vonë. Tani duhet të falënderoj Moratin, Mourinjon dhe Brankën, që për të më marrë kanë kaluar shumë net pa gjumë.
- Pse këto falënderime?
- Ta jetosh brenda do të thotë të zbulosh një imazh ndryshe të Interit, që në këtë aspekt është shumë i ngjashëm me Barcelonën. Eshtë e vështirë të jesh në një klub të madh, me lojtarë të mëdhenj, që janë gjithmonë edhe egoistë dhe, në të njëjtën kohë një familje. Ne kur punojmë jemi të lumtur për faktin se jemi bashkë dhe presim me padurim ditën e nesërme për t’u rikthyer në stërvitje.
- Ju bezdisin krahasimet me Ibrahimoviçin?
- Ai është Ibrahimoviç dhe tek Interi ka bërë shumë, unë jam Eto dhe vazhdoj në rrugën time si Eto. Dhe e di se futbolli e ka memorien e shkurtër: e djeshmja nuk ka rëndësi, ka rëndësi vetëm ajo që ndodh sot. Sigurisht nuk firkësohem nga karahasimet; në futboll nuk mund të keshë frikë nga asgjë.
- Eshtë e lehtë të luash me Militon?
- Jam unë ai i lumturi të luaj me të, më shumë nga sa mund të jetë ai që luan me mua. Dhe nëse si lojtar meriton notën dhjetë, si njeri meriton pesëmbëdhjetë.
- Po Baloteli?
- Unë e thërras Supermario, jo rastësisht. Lojtarë si ai lindin një herë në dhjetë vjet, por e rëndësishmja është që ai ta kuptojë këtë. Duhet të kuptojë se, nëse do të ketë qëndrimin e duhur, mund të bëhet si Mesi dhe Ronaldinjo, dhe gjithashtu duhet të pranojë fatin që luan në një klub si Interi. Do të më pëlqente ta ndihmoja të bëhej unik.