19 korrik 2009
Viti i Ronaldinhos
Ylli i Milanit, Ronaldinho ka insistuar se është i gatshëm të plotësojë hapësirën e lënë nga largimi i bashkëkombësit brazilian, Leite Kaka gjatë sezonit të ardhshëm.Ronaldinho do të fillojë sezonin e tij të dytë në Itali me kujtimet e një kampanje dëshpëruese të vitit të kaluar, por me transferimin e Kakas në Real Madrid, ai është i vetëdijshëm se kësaj radhe do të ketë përgjegjësi shtesë. Pas fillimit të mirë në sezonin e tij të parë në Milan, Ronaldinho humbi vendin në formacion, pasi ish-trajneri Carlo Ancelotti për pjesën e dytë të sezonit preferoi sulmin e përbërë nga Kaka, Pato dhe Filippo Inzaghi. Mirëpo, me largimin e Kakas dhe emërimin e bashkëkombësit brazilian, Leonardo, për trajner të ri, Ronaldinho beson se ka ardhur koha që ai të shkëlqejë përsëri dhe të mundohet të shfaqë formën që tregoi në Barcelonë kur fitoi çmimet e futbollistit më të mirë në botë më 2004 dhe 2005. “Jam bërë lider i këtij grupi, ditë pas dite”, tha Ronaldinho gjatë një interviste me të përditshmen sportive italiane, Gazzetta dello Sport, duke insistuar se nuk ndjen përgjegjësi shtesë.“Ndjej diçka shumë më të rëndësishme: besim nga bashkëlojtarët, klubi dhe atmosfera. Përgjegjësia është vetëm një pasojë dhe ajo sjell kënaqësi dhe jo brengë në çfarëdo mënyre. Vitin e kaluar kam filluar mirë, por më pas gjërat ndryshuan për shkak të lëndimit dhe Ancelotti filloi të mos më aktivizojë. Kësaj radhe dua të kaloj një sezon të mirë, nga ndeshja e parë deri tek ajo e fundit. Synoj zhvillim, si Milani.Vitin e kaluar synim i yni ishte të kualifikohemi për Ligën e Kampionëve, ndërsa tani duam ta fitojmë”, shtoi ai. 28-vjeçari do të mundohet të rikthehet në formën e dikurshme të Barcelonës dhe ka insistuar se ka mundësi t’i afrohet shkallës së paraqitjeve me gjigantin katalan, çështje e cila ka zgjuar kritika ndaj tij, kryesisht për shkak të formës së dobët fizike.“Ndihem shumë mirë, jam i përkushtuar dhe i motivuar. Kam humbur disa kilogramë dhe jam afër peshës luftarake të Barcelonës. Për dallim nga sezoni i kaluar, jam adaptuar më tepër me jetën në Itali, gjuhën, mënyrën e jetesës, miqësinë. Jam i lumtur këtu”, përfundoi ai.