Kapiteni i Romës, pesë vjet si lojtar dhe pesë si drejtues: Është një zgjedhje e jetës dhe e zemrës
Roma është një zgjedhje e jetës dhe e zemrës”. Kështu u shpreh dje Françesko Toti. Kapiteni verdhekuq flet për Romën, me të cilën pritet që shumë shpejt të nënshkruajë një kontratë deri në fund të 2019-ës, pesë vjet si lojtar dhe pesë si drejtues. “Është një zgjedhje e jetës, po po, një zgjedhje e jetës, nuk ka sesi të ndodhë ndryshe, - vijon Toti. - Mendoj se ia kam arritur dhe këtë kontratë e kam merituar të gjithën në fushë. Për respektin që kam pasur ndaj familjes Sensi, ndaj shokëve të mi, trajnerit dhe tifozëve”. Megjithatë Toti tregon se karriera e tij ka vend edhe për ndonjë keqardhje të vogël: “”Topi i Artë”? Nëse do të kisha shkuar të luaja në ndonjë skuadër tjetër të madhe ose jashtë, do ta kisha ngritur me të dyja duart”.
Sipas Totit, ai që pritet të fillojë më 23 gusht, nuk do të jetë një kampionat i varfër: “Ka pasur shumë largime, - vazhdon fantazisti 33-vjeçar, - por kanë ardhur edhe kampionë të mëdhenj, në fund njëlloj është.” Dhe duke iu përgjigjur një pyetjeje për Ibrahimoviçin, thotë: “Kur një futbollist nuk do të qëndrojë më në një klub, është e drejtë që të largohet, duke rënë dakord edhe me klubin ama. Cili fiton më shumë në këtë mes? Barcelona, por edhe Interi që me paratë e fituara do të ketë mundësi të blejë”.
Për Totin, zbulimi i kampionatit që vjen mund të jetë Napoli i Donadonit: “Po, sepse ka bërë investime të mira, ka shpenzuar shumë, e kam parë presidentin De Laurentis shumë të karikuar. Ançeloti te Çelsi? Më duket e çuditshme, por jam i kënaqur për të, sepse bëri një zgjedhje të mirë. Duke u larguar nga një klub i madh, dëshiroi të bëjë përvojë jashtë Italisë, duke shpresuar të fitojë një tjetër Champions. A është Seria A forca e tretë në Europë? Mendoj që po, - shton sërish Toti, - flitet shumë për Premier Ligën dhe për Ligën spanjolle, pasi investimet më të mëdha i kanë bërë ata.” Në fund, një mendim për Juventusin: “Është një nga kandidatët për të fituar titullin. Është forcuar shumë, edhe pse kishte një grup të fortë. Ferrara? E takova në Kapri para pak kohësh, ishte shumë i karikuar. I motivuar, krenar dhe për lojtarët të kesh një trajner kaq të ri, është shumë e rëndësishme”.