27 korrik 2009

Leonardo: Dua një mbrojtës e një sulmues

Për të qenë vërtet të fortë, kemi nevojë për një mbrojtës dhe një sulmues. Jam i bindur që me dy përforcime për të plotësuar organikën, mund ta themi fjalën tonë edhe ne, duke u bërë përfundimisht konkurrues”. Leonardo këmbëngul, me një sinqeritet deri diku “të tepruar” për teorinë e merkatos. Është një Milan jo i plotë dhe jo në “top” ai që i është dorëzuar. Trajneri brazilian nuk humb rastin për të reaguar, edhe për t’i bërë pak trysni klubit, duke apeluar ta kënaqë shpejt. Po si? Duke shpenzuar pak dhe synuar tek e ardhmja, kjo duket se është “adresa” e drejtuesve kuqezinj. Ja pse Trezege u pëlqen vërtet, por jo si Huntelari, për shembull. Francezi ka një përvojë të pasur, por mosha 32-vjeçare s’i jep shumë mundësi. Edhe holandezi është një “bomber” i vërtetë në Europë dhe është vetëm 26 vjeç. Deri tani ka refuzuar shumë oferta, duke ia lënë ndoshta “Djallit” derën hapur… Me miqtë e Realit një marrëveshje mund të gjëndet, ndryshe vëmendja do të zhvendosej te danezi Bendtner i Arsenalit. Një premtim pak a shumë për momentin. Një investim i rrezikshëm që gjithsesi e tërheq Galianin. Në mbrojtje është i nevojshëm një element në krah që të përshtate mirë në mekanizmat e Milanit të ri të Leos. Një i zoti që shtyn deri në fund. Si 20-vjeçari nga Uellsi, Garet Bale, në pronësi të Totenhemit. Por edhe këtu, në konsideratë të strategjisë së kursimit të deklaruar nga kuqezinjtë, parashikohet kohë e gjatë.