27 korrik 2009

Gatuzo: Berluskoni, na bëj një dhuratë!

Mesfushori kuqezi i dërgon një mesazh të qartë presidentit: Me 2-3 lojtarë mund të themi edhe fjalën tonë
Xhenaro Gatuzo u dërgon një mesazh të qartë drejtuesve kuqezinj pak orë para derbit “miqësor” me zikaltërit e Mourinjos në fushën e Bostonit. “Çfarë i mungon Milanit? Vetëm që presidenti ynë, Berluskoni të na bëjë një dhuratë në merkato, - deklaron mesfushori kuqezi. - E përsëris: e dimë që duhet të ekuilibrojmë bilancet, por deri më 31 gusht shpresojmë te presidenti ynë. Me dy-tri lojtarë më shumë, mund ta themi fjalën tonë. Mund t’ia dalim edhe kështu siç jemi, por jemi të vetëdijshëm që na mungon diçka. Besoj dhe shpresoj që Berluskoni të na bëjë ndonjë dhuratë. Një mbrojtës? Mungon diçka, një sulmues, një mbrojtës krahu, edhe në të gjitha repartet është e nevojshme diçka, edhe pse nuk jemi për t’u flakur tutje. Nëse vjen dikush, mund të paraqitemi edhe më mirë. Në këto ndeshje kemi riparë shpirtin e garës që na bën të shpresojmë shumë”. Më pas, “luftëtari” i mesfushës milaniste analizon edhe fazën e parë të stërvitjes në SHBA: “Jemi në kulmin e përgatitjes, dy ndeshjet e fundit miqësore ishin pozitive, - nënvizon Gatuzo. - Po punojmë mirë, të luash çdo dy ditë është e vështirë. Derbi me Interin në Boston? Është gjithnjë një ndeshje e rëndësishme, besojmë se do të dalim mirë. Shpresojmë të mos kemi fat tani dhe të na eci fati në kampionat e në Champions. Episodet ndonjëherë të bëjnë t’i fitosh ndeshjet, ndaj tani nuk kemi fat.” Gatuzo komenton pastaj edhe stafetën mes Ibrahimoviçit e Etosë: “Janë dy futbollistë krejt ndryshe, Eto është i madh, por Interi me Ibrën për ekonominë dhe për mënyrën e lojës, ka humbur shumë. Ndoshta do të shënojë më shumë gola Etoja, por Ibra është më shumë lojtar skuadre. Interi është gjithnjë një skuadër e madhe, si me Mourinjon, ashtu edhe me Mançinin. Juvja është përforcuar shumë”. Një tjetër temë e diskutuar nga Gatuzo është lamtumira e Ançelotit, tani te Çelsi: “Më bëri përshtypje kur e pashë në konferencën për shtyp, duke folur anglisht gjatë prezantimit me fanellën e Çelsit, - pranon “Ringio”. - Eshtë një trajner i madh, kemi ndarë bashkë kënaqësi e trishtime. Tani të kthejmë faqe, raporti mes nesh mbetet. Tani është Leonardo, shpresojmë të arrijmë objektiva edhe me të. A të donte te Çelsi? Nuk ika as vitin e shkuar, ndaj s’do të largohem asnjëherë nga Milani. Për historinë me kuqezinjtë, për klubin është e drejtë ta mbyll karrierën me këtë fanellë. Të hedhësh në “erë” shumë vite, ndoshta më pas një tifoz të quan tradhtar.. Shpresoj ta mbyll karrierën këtu. Çelsi e dinte mendimin tim, shpresoj të mos na marrë Pirlon, sepse është një lojtar i rëndësishëm. Shitja e Kakàsë? Nuk u befasova. I di problemet e klubit, Galiani i ka bërë të ditura: kishim nevojë për para. Duhej të largohej ndonjë “big” dhe Kakà ishte më i forti. Pastaj ne shikojmë përpara, historia e Milanit vazhdon dhe shpresojmë ta çojmë lart”.