Shtypi barcelonas ka bërë një listë të admiruesve të Ibrahimoviçit para prezantimit të tij në “Camp Nou”
Edhe pse menaxheri i Zlatan Ibrahimoviçit ka synuar dje të ulë vrullin e tifozëve të Barcelonës në lidhje me transferimin e tij në “Camp Nou” duke thënë se ai ende nuk është lojtar i “blaugranave”, shtypi spanjoll i ka revzervuar disa faqe më shumë “Ibrakadabras” duke folur gjatë për lojtarin e ri të Barçës. Njëra nga gazetat e përditshme katalanase, “El Mundo Deportivo” ka shkuar aq larg saqë ka dhënë një listë të komplimenteve për sulmuesin gjigant të bëra më parë nga disa prej figurave të mëdha të futbollit botëror.
Zinedin Zidan: “Nëse do të isha president i Realit të Madridit, do të përpiqesha ta blija. Ibrahimoviç është një lojtar i madh, hero i Interit në fitimin e skudetos së fundit.”
Pele: “Të gjithë e dimë se ai është lojtari më i mirë i Suedisë, nuk ka dyshim më për këtë. Eshtë shumë i shpejtë, shumë i vendosur dhe mund të luajë në çdo skuadër.”
Johan Krujf: “Ibrahimoviç është një lojtar i jashtëzakonshëm. Ai do të jetë një aset i madh për Barcelonaën.”
Ronald Kuman: “Zlatani ka shumë cilësi: luan fuqishëm në ajër, ka aftësinë të ndërpresë sulmet e kundërshtarit, ka kurajë, motivim dhe vendosmëri për të tejkaluar situata të jashtëzakonshme. Eshtë një fitues. Kur isha te Ajaksi, ai ishte ende i ri, por e kam ditur se do të shkojë shumë përpara.”
Fabio Kapelo: “Lëvizjet e tij më kujtojnë Marko van Bastenin. Ai ka ditur si të bëhet më efikas, pasi më parë ishte i fiksuar pas aksioneve të veta individuale dhe finteve me topin.”
Roberto Mançini: “Për mua, nuk ka dyshim se ai është sulmuesi më i mirë në botë dhe ia vlejnë paratë që harxhohen për të. Ai është sulmues më i mirë se Eto. Barcelona do të ishte skuadra perfekte për të dhe atje do të bëhej edhe më i mirë. Ka karakter të fortë dhe është një profesionist i madh me cilësitë e kampionit. Ka fuqi, shpejtësi, teknikë dhe gjuan mirë me kokë.”
Luis Suarez: “Zlatani individualisht është më i mirë se Eto, të paktën nga një pikëpamje teknike.”
Fabio Kanavaro: “Eshtë numri 1 në botë me fanellën 9.”
Hoze Mourinjo: “Ibrahimoviç është më i mirë se Kristiano Ronaldo. Kur mendoj për lojtarë të mëdhenj, më shkon mendja te Kakà, Lionel Mesi dhe Ibrahimoviç. Për mua, Zlatani është më i miri!”