Trajneri i Romës u bën thirrje lojtarëve të tij të mos bëjnë deklarata mbi objektivat
Bindje në energjinë e skuadrës së tij, por pa asnjë parashikim. Me këtë sjellje, Luçiano Spaleti mbyll stërvitjen në Bruniko, faza e parë e sezonit, ku Roma e tij është thirrur të “fluturojë” pas kampionatit të fundit të mbyllur në vendin e gjashtë.
“Juventusi e Interi janë dy skuadra të mëdha, me organika të shkëlqyera, - tha trajneri i Romës, - por unë jam i bindur që Roma mund të fitojë një hapësirë të rëndësishme dhe dallimin do ta bëjë puna e përditshme. Është e rëndësishme që lojtarët, në vend që të flasin për titullin, të thonë se do të luajnë mbi 80% të kampionatit. Dhe në nivel të lartë. Atëherë diskutimi ndryshon dhe mund të niset të flitet për objektiva”.
Në prag të miqësores me Bllekbërnin, trajneri toskan e cilëson stërvitjen me një “bilanc pozitiv. MUndëm t’i njohim më mirë të rinjtë tanë, thuajse të gjithë kanë punuar çdo ditë. Ka pasur ndonjë problem të vogël, por janë kufizuar menjëherë. Na vjen keq pa dyshim për dëmtimin e Perrotës, por kemi bërë të pamundurën për të shmangur episode të tilla”. Mes lojtarëve që kanë shkëlqyer më pak për momentin është sigurisht Zheremi Menez, i cili ka probleme fizike. “Është një djalë i ndjeshëm, pak ndryshe nga rryma, - vijon Spaleti për francezin. - Ka cilësi të mëdha teknike që nuk do t’i humbasë asnjëherë. Nëse ka një farë gjendje fizike, do të përmirësohet”. Më pas Spaleti bën një koment edhe për merkatën verdhekuqe: “Ndonjë lëvizje duhet bërë. Tashmë futbolli ky është, për gjëra të tilla duhet gjetur një përgjigje kur ndodhin, jo gjithçka është e sistemuar, duhet të jemi gati”, - shtoi ai, duke iu referuar shitjeve të mundshme.
para dy ditësh, Mirko Vuçiniç ka deklaruar që mund ta lërë kryeqytetin me keqardhje të madhe: “Më bëhet qejfi që djemtë nuk duan të ikin nga Roma, e shoh korrekte dhe të rëndësishme përgjigjen e Mirkos. Baza është për të punuar në mënyrë interesante”.