Trajneri i Romës tregon merkaton e skuadrës verdhekuqe: Toti, De Rosi, Mekses, Huan e Pizarro, të paprekshëm
Provë për Ligën Europiane për Romën nën një mot të nxehtë në Trigoria, me qindra tifozë mbi mure për të vëzhguar Totin me shokë, të cilët fituan 3-0 në miqësoren ndaj rumunëve të Ceahlulit. Para takimit miqësor, Spaleti ka folur për merkato, duke saktësuar që klubi nuk ka ndër mend të shesë “xhevahirët” e tij me çmime të ulëta: “Akuilanin, duam të ngrejmë në nivelin e tij, - tha trajneri i Romës. - Ka diskutime të hapura rreth tij, por asnjë s’duhet të mendojë që Roma do të shesë lirë lojtarë të tillë. E njohim dëshirën e djaloshit dhe do të vlerësojmë ofertën për një lojtar që për ne është shumë i rëndësishëm. Nëse gjëndet një situatë e favorshme për të, por edhe për Romën, ne do ta mbajmë”.
Merkatoja e skuadrës verdhekuqe për momentin është e ndalur, por Spaleti është i sigurt që gjërat do të lëvizin: “Është çështje kohe, por lëvizjet në dalje do të bëhen, - pranon ai, - sepse kemi lojtarë të shkëlqyer. Në fillim do të na i kërkojnë, pastaj duhet të jemi ne të zotë për të plotësuar organikën”.
Pesë lojtarë duken të paprekshëm, teksa dëgjon trajneri romanist: “Mekses e Huan dua t’i mbaj. I japin forcë mbrojtjes, - rrëfen Spaleti. - Pizarro ka treguar se është ndryshe nga të tjerët. De Rosi është një lojtar që s’mund të lihet, Toti as që bëhet fjalë. Ai që na duhet ne është një sulmues dhe përforcime nga krahët”.
Favoritja për titullin, sipas Spaletit, do të jetë Juventusi: “Bardhezinjtë kanë ecur mirë në merkato. Interi mbetet për të parë atë që do të bëjë. Milani shiti Kakànë, por do të bëjë sërish ndonjë blerje. Ne duam të luftojmë të barabartë me këto ekipe, sepse jemi Roma dhe kemi futbollistë të shkëlqyer”.