17 korrik 2009

Ronaldo: Të detyruar të fitojmë

I kënaqur, i buzëqeshur, i duruar, i hapur, simpatik. Kristiano Ronaldo prezantohet në konferencë për shtyp dhe nuk zhgënjen. Treçerek ore pyetje, të cilave u është përgjigjur në anglisht, spanjisht e portugalisht, në një sallë të mbushur deri në limitet e kapacitetit. Pritja është "galaktike", por Kristiano thotë se në këtë javë të parë te Reali nuk e ka mësuar ende domethënien e fjalës "galacticos". Si fillim flet për bilancin e parë: "Shumë pozitiv. Para se të vija këtu kisha lexuar gjëra negative mbi dhomat e zhveshjes te Reali, por nuk është ashtu. Madje është krejt ndryshe". Më pas kalon te diferenca mes Mançester Junajtid dhe Realit: "Le të themi se në Mançester nuk jam stërvitur kurrë tri herë në javë... Kujdesemi për fizikun dhe punojmë me topin, argëtohemi, jemi mirë, shumë mirë". Dy fjalë i thotë edhe për trajnerin Pelegrini: "Kam folur me të, por biseda mbetet private. Më ka pyetur si jam dhe si po shkon ambientimi. Ka marrë përgjigje shumë pozitive". Disa referime edhe për pozicionin në fushë. "Unë kam luajtur 5 vite në krah dhe disa herë si sulmues. Do të bëj atë që do të më kërkohet, por nëse do të më duhet të shpreh një preferencë, do të thosha në krah. Atje preferoj të luaj". Reali ka afruar në ekip shumë yje dhe kjo ia vështirëson disi punën trajnerit Pelegrini. "Tekniku ka para tij një detyrë më shumë se të vështirë, shprehet Kristiano. Ka disa lojtarë të mëdhenj dhe duhet të zgjedhë 11. Nuk do të jetë e lehtë, por nëse ka respekt reciprok, konkurrenca bën vetëm mirë. Mendoj vetëm të punoj fort dhe shpresoj të jem i lumtur si te Mançesteri". Përpara e presin disa sfida. "Jeta ime është ndërtuar nga sfidat, jam një njeri që pëlqen të rrezikojë. Në moshën 18-vjeçare, kur lashë Portugalinë për të shkuar te Mançesteri, kjo për mua ishte një sfidë e jashtëzakonshme. Isha i ri, pa eksperiencë, gjuhën nuk e dija. Falë Zotit, cilësive të mia dhe karakterit tim gjithçka shkoi mirë. Fitova shumë trofe, individualë e me skuadrën dhe tani që ajo histori është mbyllur me lumturi për të gjithë, unë jam gati për një sfidë tjetër të vështirë. Shpresoj të kem të njëjtin sukses që kam pasur edhe në të kaluarën". Shikohet si lojtari më i mirë në botë për edicionin e kaluar, por ai tregohet modest. "Nuk kam thënë kurrë se jam më i miri në botë dhe as më i miri te Reali, pohon portugezi. Këtu jam një pjesë e grupit, për të ndihmuar dhe kontribuuar të fitojmë. Nëse fitoret nuk do të vijnë, nuk mendoj se do të jetë vetëm faji im apo paratë e shpenzuara për mua mund të konsiderohen një humbje, sepse në grup jemi 20 lojtarë. Kemi mundësinë dhe detyrën të fitojmë. Sipas meje mund t‘ia dalim, si në Liga edhe në Champions League. Do të luftojmë në çdo front". Shumat e mëdha të shpenzuara e detyrojnë këtë Real të japë maksimumin. Këtë e konfirmon edhe Ronaldo: "Duhet të provojmë të fitojmë dhe mbi të gjitha t‘u demonstrojmë njerëzve se jemi këtu për të fituar".