17 korrik 2009

"Për Barçën i paguaj 8 mln euro"

David Vija kërkon me dëshpërim të transferohet te Barcelona. "Diferencën ndërmjet shifrës që Barça është e gatshme të paguajë dhe asaj që pretendon Valencia do ta paguaj unë". Kjo ishte "oferta" e sulmuesit të përfaqësueses spanjolle, për drejtorin teknik të katalanëve, Çiki Begirishtajn, vetëm që të luajë në "Kamp Nou". Lajmi është bërë i ditur nga gazeta "El Pais", e cila theksonte se shifra që 27-vjeçari është i gatshëm të nxjerrë nga portofoli i tij është 8 milionë euro: oferta e fundit e Barcelonës ishte 42 milionë euro, ndërsa drejtuesit e Valencias kërkonin të paktën 50 milionë. Tashmë Vija e ka të qartë se nuk dëshiron më të luajë për skuadrën e kryeqytetit të Komunidad, qëndrim të cilin ia ka bërë të ditur edhe presidentit Manuel Lorente. Deri më tani, sinjalet e drejtuesve të klubit kanë qenë negative, ku pavarësisht problemeve financiare, ata nuk dëshirojnë të privohen nga shërbimet e golashënuesit më të mirë të Euro 2008, i cili ka kontratë deri në vitin 2014. Situata e krijuar ka sjellë pakënaqësi te lojtari, sepse prej pengesave të Valencias, Barcelona e ka kthyer vëmendjen te Diego Forlan i Atletikos së Madridit, që në sezonin e kaluar u shpall golashënuesi më i mirë i La Ligas. Burime pranë katalanëve pohuan se "klubi po pret zhvillimet që do të sjellin ditët e ardhshme rreth çështjes ‘Vija‘" dhe se "alternativat janë të shumta". Ndërkohë, për të përshpejtuar gjetjen e marrëveshjes mes klubeve, menaxheri i sulmuesit të "Furisë së Kuqe", Hoze Luis Tamargo, i ka telefonuar njëshit në "Mestaja". Sipas "Superdeporte", ai i ka kërkuar presidentit Lorente të përcaktojë shifrën për të cilën Vija mund të largohet nga "Los Che". Pas kësaj bisede, Tamargo do të kontaktojë me Barçën, për të informuar kampionët e Europës rreth ofertës që do të mbyllte me sukses operacionin. Për t‘u bërë pjesë e kontingjentit të yjeve të Pep Guardiolës, sulmuesi është i gatshëm të pranojë edhe një rrogë më të ulët, duke pasur parasysh koston e lartë të kartonit të tij.Në pritje të sinjaleve konkrete nga David Vija, Barcelona ka realizuar edhe blerjen e parë në këtë merkato. Maksuell, mbrojtësi i majtë holandez, është transferuar zyrtarisht te spanjollët. Marrëveshja me Interin u ka kushtuar "blaugranave" 4.5 milionë euro, plus 500 mijë euro në rast se lojtari plotëson një numër të caktuar ndeshjesh.