25 korrik 2009

Real Madrid ka telashe në shitje

Real Madrid ka vështirësi të negociojë shitjen e pesë ose gjashtë futbollistëve për të ngritur fonde për blerje të reja, ka thënë drejtori i përgjithshëm i klubit, Jorge Valdano. Gjiganti madrilen ka shpenzuar më tepër se 200 milionë euro në katër futbollistë, ndërsa ende kërkon një mesfushor defansiv dhe një mbrojtës, por Valdano ka thënë se janë penguar nga tregu i vështirë. “Jemi duke punuar me vazhdimësi në shitjen e futbollistëve dhe dyert për ardhjen e përforcimeve të reja janë të mbyllura përderisa nuk largojmë dikë”, tha Valdano gjatë një konference për shtyp të premten. “Jemi në treg të vështirë dhe do të punojmë deri në minutën e fundit për të shitur futbollistë, të cilët nuk janë në planet e trajnerit”, shtoi ai. Përpjekja e Realit për të shitur sulmuesin holandez Klaas Jan Huntelaar te klubi nga Bundesliga, Stuttgart për rreth 18 milionë euro dështoi të enjten. Ata po ashtu janë duke u munduar të shesin bashkëkombësit e Huntelaarit, Ruud van Nistelrooy dhe Royston Drenthe si dhe mesfushorit e Malit, Mahamadou Diarra në mes tjerëve. “Në disa raste futbollistët refuzojnë, por në të tjerat nuk ka oferta. Operacioni i shitjeve mund të duket i thjeshtë, por nuk është”, përfundoi ai.