25 korrik 2009

Lekaj huazohet në Sandefjord

Futbollisti kosovar, Rocky Lekaj është huazuar nga Sheffield Wednesday në klubin norvegjez Sandefjord deri më 1 nëntor. Ai ka qenë në Sheffield Wednesday që kur kaloi në Angli si 16 vjeçar, pikërisht nga Norvegjia. Tani mesfushori ofansiv ka rastin ta dëshmojë veten në elitën e futbollit norvegjez. “Na pëlqeu ajo që kemi parë te Rocky dhe kishim nevojë për një zëvendësim, pasi Samuel Isaksen pësoi një lëndim", ka thënë drejtori sportiv i Sanderfjord, Arne Dokken.Lekaj, i cili do të bëhet 20 vjeçar në tetor, një kohë të gjatë ka kërkuar një klub norvegjez, në mënyrë që të fitojë më shumë përvojë. “Kam luajtur me ekipin rezervë të Sheffield dhe kam shënuar 10 gola. Por, nuk është diçka për mua. Dua të luaj ndeshje në nivelin më të lartë dhe të luash në elitën e futbollit norvegjez është mirë”, ka thënë Lekaj për mediat norvegjeze. Lekaj ka pasur katër paraqitje me ekipin e parë të Sheffield në sezonin e kaluar, ndërsa ka kontratë profesionale me këtë klub deri në verën e vitit të kaluar. Edhe vëllai i tij më i ri, Leoni, është pjesë e klubit Sheffield. Ai paraqitet rregullisht me ekipin rezervë.