17 korrik 2009
PSG mbush arkat me shitjen e Canës
E ardhmja e Lorik Canës është e mbushur me mister. Pas "komplikimeve", për të cilat foli trajneri Didië Deshamp, transferimi i mesfushorit kuqezi te Hamburgu duket thuajse i pamundur. Në garë tashmë kanë mbetur Evertoni dhe Liverpuli, ndërkohë që interes për shërbimet e 25-vjeçarit kanë shfaqur edhe disa klube turke. Por, pavarësisht destinacionit të ardhshëm të Canës, ekziston një klub që "fërkon duart" për shitjen e lojtarit. Ai është PSG, ekipi ku "shkatërruesi" është formuar si profesionist. Vlera 7 milionë euro e kartonit të përcaktuar nga Olimpik Marseja për kapitenin, do të siguronte edhe fonde për arkat e klubit parisien, që janë të boshatisura. Sipas rregullave të FIFA-s, PSG-ja përfiton 0.5 për qind të shifrës së transferimit për çdo vit që Cana ka kaluar në ekipet zinxhir dhe në ekipin e parë. Me llogari të thjeshta, skuadra e kryeqytetit francez do të përfitonte ekuivalentin e pesë viteve formim të futbollistit, pra rreth 175 mijë euro (2.5 për qind të shifrës së përfituar nga Marseja).