17 korrik 2009
Lala tërhiqet nga bordi i Hanoverit
Altin Lala, mesfushori 33-vjeçar i Kombëtares shqiptare, i njohur në Gjermani si "xhuxhi luftarak", nuk do të ulet më në karrigen e tij në mbledhjet e bordit drejtues të Hanoverit. Veterani, që është edhe më i vjetri i kësaj skuadre (aktivizohet me të kuqtë që nga 1998) dhe ka mbajtur për një kohë të gjatë shiritin e kapitenit, ka vendosur të heqë dorë nga kjo detyrë e tij në instancat drejtuese të klubit. Në një prononcim të tijin për gazetën prestigjioze gjermane "Bild", Altini është shprehur: "Që prej dhjetë vjetësh jam në këshillin e skuadrës, kjo besoj se është e mjaftueshme". Nëse ai ka diçka për të thënë, do të vazhdojë ta thotë edhe në të ardhmen. "Fjala e Altinit ka peshë", shton më pas trajneri Dieter Hecking". Para stërvitjes së të martës, trajneri kishte riemëruar Robert Enke si kapiten të skuadrës, ndërsa zëvendësi i tij do të jetë Arnold Brugink. Zgjedhjet e reja për pjesëtarët e bordit u zhvilluan të martën, kur përveç dy të sipërpërmendurve u zgjodhën edhe Çerundolo e Balitsch.