17 korrik 2009
Perdedaj, në mesin e yjeve
Për momentin, Franck Ribery apo Edin Dzeko përbëjnë lajmet kryesore në elitën e futbollit gjerman. Por, kur Ribery ndonjëherë të transferohet në Spanjë apo Dzeko do të mund të luajë me fanellën e tij të zemrës, të Milanit, atëherë të tjerë yje do të zënë vendin në Bundesliga. SPOX.com ka përzgjedhur pesë talente që në sezonin e ri janë kandidatë për t’u bërë yje në Gjermani. Në mesin e talenteve të përzgjedhur është edhe kosovari Fanol Perdedaj, i cili është pjesë e Hertha Berlin. “Perdedaj është vetëm 18 vjeçar. Dhe kosovari me kualitetet e tij prej mesfushori defansiv ka bindur trajnerin Lucien Favre ta ftojë në ekipin e parë nga U-19”, thuhet në vlerësimin e SPOX.Më tej janë dhënë deklaratat e mëhershme të shefit të juniorëve të Hertha Berlinit, Frank Vogel. "Ne edhe në vitet e kaluara kemi pasur talentet më të mëdhenj. Fanoli tashmë është i vetmi që do kalojë direkt në kategori më të lartë. Në ekipin junior ai gjithmonë është krahasuar me Gennaro Gattuson. Dhe stili i tij me të vërtet mund të krahasohet me atë", ka theksuar Vogel.Vetë Perdedaj vitin e kaluar ka pasur një lëndim serioz të ligamenteve të gjurit dhe është dashur të operohet dy herë. “Tani jam rikthyer. Gjuri është mirë”, thotë Perdedaj i cili është njëri nga shtatë fëmijët e një familjeje kosovare që ka emigruar në Berlin.Në mesin e pesë talenteve tjerë janë edhe Burak Kaplan (Bayer Leverkusen), Gungor Kaya (FC Nuremberg), Marco Reus (Borussia Moenchengladbach) dhe Andre Schurrle (Mainz 05). Burak Kaplan është reprezentues U-19 i Turqisë dhe ka entuziazmuar trajnerin e Leverkusen, Jupp Heynckes.“Ai është një djalë inteligjent. Mund të luajë në dy krahët e mesfushës, por edhe si sulmues. Ai shumë shpejt do të luajë në Bundesliga”, ka thënë Heynckes.Edhe Gungor Kaya nga FC Nuremberg vlerësohet të jetë talent i madh. 19 vjeçari thotë se e merr për model sulmuesin holandez Ruud van Nistelrooy. Kaya në 40 ndeshje të Bundesligas për U-19 ka shënuar 37 gola, duke e dëshmuar talentin prej golashënuesi. Mesfushori i Borussia Moenchengladbach, Marco Reus gjithashtu vlerësohet të jetë njëri nga talentet e ardhshëm të Bundesligës. “Marco është aktiv dhe i freskët. Ai do të vazhdojë në këtë mënyrë”, ka thënë trajneri i Borussias, Michael Frontzeck.Ndërsa 18 vjeçari Andre Schurrle nga Mainz 05 është talenti i fundit që pritet të shkëlqejë në elitën e futbollit gjerman. Ai ka bindur trajnerin Jorn Andersen se e meriton të jetë pjesë ekipit të parë, pas paraqitjeve shumë të mira me ekipin U-19.