17 korrik 2009

Fejzullahu në NEC Nijmegen

Erton Fejzullahu edhe zyrtarisht është lojtar i ri i skuadrës holandeze, NEC Nijmegen. Transferimin e sulmuesit kosovar nga Mjallby të enjten e ka konfirmuar edhe ueb faqja zyrtare e klubit holandez. Fejzullahu me NEC ka nënshkruar kontratë katërvjeçare. Drejtori teknik i klubit NEC, Carlos Aalbers, ka lavdëruar transferimin e ri. “Ertoni është një futbollist multifunksional i cili mundë të luajë në shumë pozita, si në sulm, por edhe si mesfushor ofanziv. Ai ka edhe aftësi shumë të mira të realizimit të golave”, ka thënë Aalbers për uebfaqen zyrtare të klubit.Në anën tjetër, edhe Fejzullahu është shprehur i entuziasmuar për transferimin e tij në elitën e futbollit holandez, ku ai mendon se do t’i rrisë edhe më tej aftësitë e tij.“Në Holandë gjithmonë është zhvilluar futboll ofanziv. Për sulmuesit e rinj është një shkollë ideale për t'u zhvilluar dhe përmirësuar si futbollist”, ka pohuar 21 vjeçari. “Unë jam 21 vjeçar, por pres të luaj dhe bashkë me ekipin të sigurojmë një vend në garat evropiane. NEC është skuadër e cila punon shumë me futbollistët e rinj dhe kjo është filozofi që më përshtatet mua”, deklaroi Fejzullahu.Ai ka treguar se javën e kaluar ka vizituar stadiumin ku është pritur ngrohtë nga të gjithë në klub. Ertoni do të veshë fanellën me numrin 11, ndërsa pritet të jetë në dispozicion të trajnerit Dight Lodeeges të martën për ndeshjen miqësore kundër FC Dordrecht.Fejzullahu ishte njëri ndër futbollistët më të mirë të Mjallbyt, skuadër kjo që garon në ligën e dytë të Suedisë. Kosovari në 12 ndeshje kishte arritur t’i realizojë 13 gola. Sipas medieve, nga shitja e Fejzullahut Mjallby ka përfituar rreth 600 mijë.