17 korrik 2009

Bolonja konfirmon tratativat me Taçin

Pas deklaratave të Rezart Taçit për tratativat me Bolonjën vijnë konfirmimet edhe nga familja Menarini, e cila drejton skuadrën italianë të Serisë A. Bosi shqiptar i naftës kishte thyer heshtjen, duke u shprehur publikisht për tratativat e blerjes së Bolonjës. "Ka një interes të madh të kompanisë sonë për blerjen e 80% të aksioneve të skuadrës së Bolonjës. Konsulentët tanë kanë kontaktuar drejtuesit e Bolonjës dhe jemi në tratativa". Nga ana e saj, presidentja Françeska Menarini konfirmon se pronarët e klubit kuqeblu po kërkojnë partnerë të mundshëm dhe jo ortakë me mazhorancën e aksioneve. Një gjë e tillë mund të jetë pengesë për tratativat me Taçin. Por për pyetjen e drejtpërdrejtë për pistën shqiptare, ajo lë të nënkuptohet se nuk është mundësia e vetme: "Po, tratativa ekzistojnë, por nuk është e vetmja me të cilën po merremi. Ka edhe të tjera".