27 korrik 2009

Mustafi synon gjysmëfinalen

Pasi ia ka siguruar fitoren Zvicrës ndaj Sllovenisë, Orhan Mustafi synon që me Kombëtaren helvetike të kualifikohet në gjysmëfinale të Kampionatit Evropian U-19i cili po mbahet në Ukrainë. Sulmuesi i Baselit kërkon fitore në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve kundër nikoqirit Ukrainës, e cila do t’ia siguronte automatikisht kualifikimin në gjysmëfinale, të këtij evenimenti.“Fitorja ndaj Sllovenisë ishte mjaft e rëndësishme për ne. Ne kemi mentalitet të mirë dhe besojmë tek vetja. Ndaj Ukrainës duhet ta japim 100 për qindëshin nga vetvetja, për ta siguruar një vend ndër katër skuadrat më të mira të turneut. Kjo do të ishte fantastike për ne”, tha futbollisti shqiptar për uebfaqen zyrtare të UEFA-s. Përfaqësueses zvicerane do t’i mjaftonte edhe një barazim ndaj ukrainasve, për ta siguruar kualifikimin në gjysmëfinale.“Ne presim përkrahje nga shikuesit. Duhet të jemi më shumë defanziv, por ne e dimë se mund të shënojmë dhe të luajmë shumë mirë. Nëse e shënojmë golin e parë kundër Ukrainës, më pas mund ta gjejmë edhe të dytin dhe të tretin. Do të ishte ndjenjë e mirë për ne nëse kualifikohemi në gjysmëfinale, por edhe për mua personalisht” theksoi ai“Kjo është hera e parë që marr pjesë në një turne aq të rëndësishëm. Kjo është një mundësi e mirë për ne që klubeve tona t’ua shfaqim atë që dimë”, shtoi Mustafi, i cili tha se po kënaqet me eksperiencën në Evropian, ku ka mundësi të luajë ndaj futbollistëve të shtatë ekipeve të tjera pjesëmarrëse në këtë eveniment. Përpos Mustafit, në ekipin helvetik luajnë edhe tre futbollistë të tjerë shqiptarë: Admir Mehmeti, Vullnet Basha e Amir Abrashi.