19 korrik 2009

Materaci: Italia dhe Championsi, Amerika jonë!

Mbrojtësi zikaltër beson se niveli i Interit mund të rritet pas blerjeve të fundit

Mund të kishte shkuar në Amerikë për të mbyllur karrierën: “Vitin e kaluar, skuadrës së Nju Jork Red Bulls nuk do t’i kishte ardhur aspak keq, madje as mua, për të sjellur në këtë vend familjen dhe për të jetuar një futboll më pak stresues”. Më pas Marko Materaci ka qëndruar në Amerikën e tij, Interin, dhe pasi e ka zgjedhur përgjithmonë me një firmë deri në vitin 2012, ka shkuar të zbulojë një pjesë të Amerikës tjetër. Ajo që mban emrin e SHBA-së. “Preferoj të kujtoj se në ato pak ndeshje që jam aktivizuar kam bërë një paraqitje të mirë. Të gjithë janë të aftë të luajnë mirë në 15 nga 60 ndeshje: preferoj 15 nga 15, ose pothuajse, të gjitha me nivel të lartë”.

- Tani Mourinjo ka gjithçka që i duhet për të fituar Championsin, apo kishte gjithçka që i nevojitej edhe më përpara siç ka thënë Morati.

- Morati dhe Mourinjo ia kanë thënë gjithmonë gjërat në sy njëri-tjetrit, e kanë bërë edhe këtë herë. Sigurisht çdo skuadër mund të përmirësohet. Shikoni Barcelonën, ishte një makinë perfekte në sezonin e kaluar dhe gjithsesi kërkon të përmirësohet. Dhe ne duhet të mendojmë se çdo blerje që mund të përmirësojë Interin, është vetëm një gjë e mirë për të gjithë.

- Edhe nëse quhet Luçio dhe luan si mbrojtës qendre?

- Edhe nëse do të ishte quajtur Karvajo, Mourinjo nuk do t’i kishte dhuruar asgjë. Me të asnjë lojtar nuk niset i avantazhuar nëse nuk e meriton.

- Interi është gjithmonë një hap para Juventusit, apo diferenca është zhdukur siç thonë në Torino?

- Të paktën këtë herë mund t’ia lejojnë vetes ta thonë një gjë të tillë. Vitin e kaluar deklarata të tilla të bënin për të qeshur, tani jo më. Kanë marrë tre lojtarë të vërtetë, do të jetë një luftë e ashpër.

- Po Ibrahimoviçi beson tek ky Inter?

- Ai është gatuar në këtë mënyrë. Thotë gjithmonë atë që mendon, ndoshta var turinjtë, por më pas është i pari që lufton, në stërvitje dhe të dielën. E di se nga vjen, sa punë i është dashur për të arritur aty ku është. Kur gjërat janë kështu asnjë nuk do të çojë dëm as edhe një minutë, por nuk do as që të bëjë paraqitje zhgënjyese. Nëse Militos i lë pak hapësirë, goli është i sigurt. I ngjan Krespos, ndoshta më pak dinak se ai, por më i fortë. Duket i lehtë, por është një shkëmb i ngulur në tokë.