19 korrik 2009

Baloteli: Në Botëror, me Italinë ose Ganën

“Kombëtarja dhe Botërori afrikanojugor? Kam idetë e mia, të ndryshme nga të gjithë. Më parë dua ta diskutoj këtë me prindërit e mi”. Këto kanë qenë fjalët e Mario Balotelit. “Nëse ka lidhje me Ganën, vendin tim të origjinës? Po, por për momentin nuk kam marrë asnjë vendim dhe pres një thirrje nga Lipi. Nëse nuk do të vijë atëherë do të mendohem mirë. Nëse luaj keq është e drejtë të mos grumbullohem, por nëse këtë vit paraqitem mirë…”. Duke folur për problemet që ka patur gjatë sezonit të kaluar, Baloteli ka pohuar: “Gjithçka që më ka ndodhur, më ka shërbyer, por do të isha i gatshëm të bëja gjithçka nga e para nëse do të kisha sigurinë se Interi do të fitonte Championsin dhe kampionatin. Interi është superior ndaj të gjithë skuadrave të tjera. Fyerjet? Tani mendoj për Roma-Inter dhe se si do të festoj pasi të kem shënuar. Do ta bëj këtë nën sektorin ku ndodhen tifozët e Romës, por asgjë fyese apo vulgare. Mario ka ndryshuar, gjithçka do të më futet nga një vesh dhe do të më dalë nga tjetri”. Më pas Baloteli ka vazhduar duke thënë: “Unë synoj Championsin, por edhe për të përjetuar një sezon si ai i kaluari, ku kemi fituar shumë. Dua të fitoj kampionatin dhe Championsin”. Në lidhje me ëndrrën europiane, SuperMario ka shpjeguar se “ky Inter mund të mposhtë këdo, edhe Realin e Madridit, një klub që nuk më pëlqen. Unë synoj të fitoj “Topin e Artë”, por jam akoma larg”, ka thënë Baloteli.