17 korrik 2009

Man Utd anulon ndeshjen pas bombave

Manchester United ka anuluar ndeshjen miqësore kundër një All-Star ekipi nga Indonezia, pas shpërthimeve në dy hotele në Jakarta. Dy bombat e shpërthyera në hotelet JW Marriott dhe Ritz-Carlton në Jakarta kanë vrarë nëntë persona dhe kanë lënduar dhjetëra të tjerë. “Është shokuese për të gjithë ne. Kemi marrë lajmin kur kemi mbërritur”, tha menaxheri Sir Alex Ferguson pas ardhjes së ekipit të tij në Kuala Lumpur. “Nuk kishte zgjidhje tjetër pasi është dashur t’i ruajmë futbollistët. Andaj është vendim korrekt”, shtoi ai. Dëshmitarët kanë thënë se shpërthimet në Marriott dhe Ritz-Carlton, ku ishte paraparë të qëndronte ekipi, erdhën disa minuta njëra pas tjetrës dhe dukej se kishin ndodhur brenda hotelit, duke vlerësuar nga mënyra si kanë shpërthyer dritaret. Kapiteni i Manchester United, Gary Neville ka thënë se ekipi ishte i lumtur të luajë në praninë e tifozëve të tyre në Jakarta, por nuk kanë pasur çfarë të bëjnë rreth vendimit për anulimin e ndeshjes. “Sigurisht se futbollistët janë të dëshpëruar që nuk do të jemi në Indonezi. Mirëpo, vendimi nuk ishte i yni sepse ne jemi këtu vetëm për të luajtur futboll”, tha ai.