17 korrik 2009
Eto’o + 40 milionë € = Ibrahimoviç
Ylli i Interit, Zlatan Ibrahimoviç është në prag të transferimit te Barcelona. Sipas mediave spanjolle, gjiganti katalan është i gatshëm t’i paguajë Interit 40 milionë euro për sulmuesin suedez në marrëveshje e cila do të dërgojë Samuel Eto’on dhe Aleksander Hlebin në Itali. Marrëveshja thuhet se është arritur gjatë një darke mes presidentit të Barcelonës, Joan Laporta dhe homologut të tij nga Inter, Massimo Moratti, në Milano të enjten mbrëma. Ibrahimoviç mund të bëhet përforcimi i parë i madh i Barcelonës pas suksesit të trefishtë nga sezoni i kaluar, kur fituan Ligën e Kampionëve, La Ligan dhe Copa del Rey. Gjatë këtij afati kalimtar, klubi ka dështuar të arrijë marrëveshje me Valencian për sulmuesin David Villa. Ndërsa mesfushori bjellorus Hleb, i cili iu bashkua Barcelonës nga Arsenal, do të kalojë në Giuseppe Meazza si huazim për sezonin e ardhshëm. Por, Eto’o do të jetë futbollist i plotë i Interit. Moratti ka konfirmuar bisedimet me Barcelonën dhe mundësinë e finalizimit të marrëveshjes. “Ishte interesante për ta (Barcelona) të dinë diçka më tepër rreth Ibrahimovicit, por të bisedojmë edhe për Eto’on, dy futbollistë me kualitete të larta. Takimi erdhi nga miqësia e dy presidentëve, të cilët shikojnë nëse ka mundësi që mund të arrijnë marrëveshje së bashku”, deklaroi Moratti për uebfaqen zyrtare të klubit. Ibrahimoviç i cili ishte golashënuesi më i mirë në Serie A gjatë sezonit të kaluar, ka qenë në qendër të spekulimeve në muajt e fundit, pasi Barcelona, Real Madrid dhe Manchester United kanë paraqitur interesim. 27 vjeçari suedez ka kontratë me Interin deri në qershor 2013, por gjatë këtij viti kishte shprehur dëshirë të largohet nga klubi. “Sa i përket Ibrahimovicit, është çështje e cila është ngritur nga dëshira e futbollistit. Eto’o nuk vlen sa Ibrahimoviç, por Barcelona ka bërë edhe një ofertë shumë të mirë ekonomike”, theksoi Moratti i cili njoftoi se klubet tashmë kanë finalizuar transferimin e mbrojtësit brazilian Maxwell në Barcelonë. “Kemi kompletuar transferimin e Maxwellit. Jam i lumtur që ai do të luajë në një klub të madh si Barcelona sepse është futbollist shumë i mirë”, përfundoi Moratti.