17 korrik 2009

Mister Leo, një miks trajnerësh të mëdhenj!

Çfarë tekniku do të kenë kuqezinjtë pas marrjes së licencës nga braziliani? Kapelo, Ançeloti e Santana
Tani mund të quhet plotësisht një trajner. Leonardo e ka kaluar me sukses provimin e kursit për trajnerë profesionistë të kategorisë së dytë. Në vjeshtë do të përqendrohet për Masterin e të parës, por deri atëherë mendimet e tij do t’i përkushtohen tërësisht vetëm Milanit. Në të vërtet, siç ka konfirmuar vetë ai, nga fillimi i qershorit, Leonardo vazhdon të studiojë skema dhe zgjidhje taktike. Diçka u pa në Vareze, të dielën e shkuar, shumë do të shihet edhe në miqësoret e ardhshme dhe para së gjithash në ndeshjet e para zyrtare. Por duartrokitja që ka shoqëruar Leonardon në Milanelo është një dëshmi e qartë mbi mënyrën që skuadra kuqezi ka pritur trajnerin e saj: simpati, kuriozitet, entuziazëm.
PROVIMI - Leonardo e dha provimin në Koverçiano përpara një komisioni të madh të përbërë nga lektorë dhe mësues të teknikës e taktikës, psikologë dhe komunikues. E vetmja provë që kishte bërë më parë, ishte ajo e metodologjisë (iu desh të programojë dy javë stërvitje me ndeshje në mesjavë). Provat e tjera (ushtrime tekniko-taktike, psikologji dhe komunikim, mjekësi dhe teknikë futbollistike), ishin në program para dy ditësh. “Pjesa më e madhe e provimit, ka pasur si temë drejtimin e grupit, - tregon Paolo Piani, sekretar i sektorit teknik. - Leonardo ishte i rrjedhshëm, i shkëlqyer. E pyetëm se çfarë lloj lidershipi mendon të ndërtojë tek Milani dhe ai na solli karakteristikat e Kapelos, Ançelotit dhe Tele Santanës. Kërkon të bëjë një miks të cilësive të këtyre tre trajnerëve të mëdhenj. Pastaj u fol për fazën e jozotërimit të topit”. Leonardo e mori provimin, por nota e tij (maksimumi 110), do të jepet sot pas provimeve të kandidatëve të tjerë. “Nuk e di çfarë mora, - konfirmon Leonardo, - por di që jam i lumtur që bëra këtë kurs, sepse ishte shumë instruktiv. Dhe është bukur të jesh në një provim, sepse është një moment përballjeje me docentët dhe me kolegët. Duhet të falënderoj njerëzit, me të cilët kam punuar në Koverçiano dhe stafin tim në Milanelo, si dhe lojtarët për entuziazmin me të cilin po e përballojnë këtë aventurë”.
KËNAQËSIA - Leonardo më pas shijon promovimin: “Tani është zyrtarizuar licensa ime si trajner. Eshtë një rast i kapur menjëherë, një surprizë e madhe në jetën time. Rruga drejt këtij roli është shumë e gjatë, edhe pse fakti që kam luajtur më lejon ndoshta të kaloj etapat. Tani duhet të përqendrohem te Milani: gjëja që më ka bërë të lumtur deri tani, ka qenë gatishmëria e futbollistëve. Përgjigja nga ana e tyre ishte e menjëhershme dhe pa pjesëmarrjen e tyre, nuk do të kishte qenë as e mundur të nisej. Shpresoj që kjo të sjellë në arritjen e rezultateve të rëndësishme”. Tani Leonardo mund të përgatisë valixhet për në Amerikë. Do të jetë një udhëtim pas një provimi, në fund të fundit është një zgjedhje klasike për shumë studentë.