17 korrik 2009

Moçka e Roshi shkëlqejnë përpara trajnerit Kuzhe

Trajneri i Kombëtares, Josip Kuzhe, ka vazhduar vëzhgimet e skuadrave shqiptare që luajnë në kupat e Europës. Pas sfidës ku Tirana barazoi 1-1 me Stabaekun, në turin e dytë eliminator të Ligës së Kampioneve, drejtuesi i stolit kuqezi ishte i pranishëm në Vlorë, në sfidën që Flamurtari fitoi 1-0 përballë skocezëve të Madhëruell. Një udhëtim mjaft i vlefshëm, sepse kroati pa në aksion talentet e shumtë që militojnë në radhët e skuadrës bregdetare. Në fakt, kuqezinjtë kanë një skuadër shumë të re në moshë: futbollistët më "të vjetër" në kontingjentin e drejtuar nga Eqerem Memushi ishin autori i golit, Strati dhe sulmuesi Ngjela, të dy 26-vjeçarë. Ndërsa pjesa më e madhe e të rinjve janë lojtarë të përfaqësueseve të moshave dhe kandidatë potencialë në misionin për rinovimin e përfaqësueses. Gjatë 90 minutave të djeshme, vëmendjen e Kuzhe e kanë tërhequr portieri i Kombëtares Shpresa, Shpëtim Moçka. 19-vjeçari priti një penallti (duke mos lejuar skocezët të kalonin në avantazh) dhe ka qenë një siguri mes shtyllave. Çdo top që fluturonte drejt zonës ishte pronë e tij, ndërsa pozicionimi në gjuajtjet e kundërshtarëve ishte perfekt. Një tjetër lojtar i ri që ka mahnitur kundër Madhëruellit ishte Odise Rosi. Talenti fierak, i afruar gjatë kësaj vere te Flamurtari, ka bërë diferencën në fushën e lojës. Edhe pse u aktivizua si zëvendësues, ai është shndërruar menjëherë në rrezikun kryesor për mbrojtësit e Madhëruell, të cilët i humbën të gjitha duelet me sulmuesin 18-vjeçar. Edhe pse është ende shumë shpejt, Moçka dhe Roshi mund të cilësohen dy lojtarë të fituar, që tashmë presin një thirrje në Kombëtaren e Kuzhe.