16 korrik 2009

Kanavaro: Jemi gati për të mposhtur Interin

Në pushimet e një kapiteni ka pak nga të gjitha. Jo vetëm familje, det dhe diell nga Kapri. Edhe fëmijë të Skampias (lagje e Napolit), festivali “Xhifoni” i filmave të fëmijëve, dhe natyrisht futbolli dhe Juventusi. Këto të fundit të paevitueshëm. Edhe sepse jehona e protestave të tifozëve juventinë ka shkuar deri atje. Kanavaro e ka ndier, e ka pranuar, por vazhdon të jetë i qetë.

- Kanavaro, çfarë mesazhi u dërgoni tifozëve?

- Jam në dijeni të asaj që ka ndodhur në vendin ku është grumbulluar ekipi dhe nuk jam i shqetësuar. Besoj se gjithçka do të zgjidhet.

- Në lidhje me Pavel Nedvedin, po nëse lojtari çek do të tërhiqej me të vërtet nga futbolli?

- Kur kam lexuar se Pavel kishte vendosur të tërhiqej i kam çuar një mesazh. ‘Do të më vinte keq nëse do ta konfirmoje këtë zgjedhje’.

- Si do ta shikonit në stafin teknik të Juventusit të ri?

- Paveli është i jashtëzakonshëm. Nëse do të tërhiqej nga futbolli mua do të më vinte shumë keq. Uroj që ta rishoh sërish tek Juvja, ndoshta në stafin teknik. Pavel mund t’i japë akoma shumë këtij ekipi.

- Ka qenë një Diego në të kaluarën tuaj si mbledhës topash pas portës së San Paolos, tani është një Diego në të ardhmen tuaj në Torino. Një blerje e madhe?

- Eshtë një lojtar me cilësi të mëdha, e kam parë të luajë shpesh gjatë këtij viti në ndeshjet ndërkombëtare. Ka talent brazilian dhe mentalitet gjerman. Një futbollist pothuajse perfekt.

-Atëherë lind pyetja: Interi, Juventusi, apo kush tjetër është favorit për fitoren në kampionat?

- Ne kemi bërë një merkato të shkëlqyer, jemi gati të luftojmë në të gjitha kompeticionet. Objektivi ynë është të përmirësojmë rezultatin, që kemi arritur në sezonin e kaluar. Jemi gati të mundim Interin dhe kemi gjithçka na nevojitet për të fituar kampionatin. Më pas i ka ardhur radha fëmijëve të Skampias (lagje problematike e Napolit). Të martën në mesditë në festivalin e filmave të realizuar nga fëmijët “Xhifoni Film Festival” është prezantuar filmi me metrazh të shkurtër “Qyteti fantastik”, i shkruar nga 60 studentë të shkollës “Karlo Levi” të Skampias. Një film vizatimor në 3D prej 2 minutash, dhe për prodhimin e këtij filmi është kujdesur fondacioni Kanavaro-Ferrara.

- Napoli dhe Kanavaro, një lidhje e përjetshme.

- Prej tre vitesh ndodhem afër fëmijëve të Napolit, të lagjeve, për t’i ndihmuar, dhe për t’i bërë të kuptojnë se me punë, impenjimin e duhur dhe duke shkuar në shkollë ëndrrat mund të realizohen. Edhe kjo inciativë, prodhimi i këtij filmi me metrazh të shkurtër është bërë për të treguar se Napoli nuk është vetëm ajo që shihet në filmin “Gomorra”. Eshtë edhe një qytet i pasur me talente dhe energji.

- Keni një thirrje për të bërë?

- Të rinj, harrojini fitimet e shpejta, premtimet e Kamorrës. Jeta nuk ështa ajo. Jeta është të realizosh ëndrrat e tua me forcat e tua. Napoli dhe të rinjtë e këtij qyteti kanë shumë potencial.