27 korrik 2009

Ibra te Barcelona:”Do të bëj histori!”

Nesër bëhen vizitat mjekësore dhe prezantimi zyrtar në “Nou Camp”
“Dua të jem pjesë e historisë së Barçës”, ka deklaruar Zlatan Ibrahimoviç me të mbërritur në Barcelonë. Klubi katalanas, që është pranë nënshkrimit të kontratës zyrtare me suedezin, ka thënë nëpërmjet faqes së saj në internet se lojtari ka zbarkuar në aeroportin e Pratit më 17.05. Sulmuesi më pas ka shkuar në selinë e klubit, ku ka bërë një sesion fotografish. Sot do të bëhen vizitat mjekësore dhe më pas do të jetë edhe prezantimi i blerjes së re të kampionëve të Spanjës dhe të Europës.
“Erdhi momenti më i pritur” shkruhet në faqen zyrtare të Barcelonës në lidhje me ditën e parë të talentit suedez në Spanjë. Pas fotove, të bëra në orën 18:00, Ibra ka takuar më pas tifozët, të cilët e prisnin për t’i marrë autografe dhe më vonë ka shkuar në hotel për të pushuar.
Barça shpreson që kjo marrëveshje, në kuadër të së cilës Samuel Eto shkon në drejtimin e kundërt, në Itali, mund të finalizohet pa asnjë befasi. Më pas prezantimi i sulmuesit të ri do të bëhet sot në “Camp Nou”. “Nëse gjërat shkojnë sipas planeve tona, ashtu siç shpresojmë të gjithë, Ibrahimoviç mund të prezantohet nesër (sot)”, ka thënë zëvendëspresidenti i Barçës, Rafael Juste. “Pas negociatave të gjata me Interin e Milanos, ne shpresojmë t’ua prezantojmë tifozëve tanë të hënën”, ka shtuar ai.
Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, pas ndeshjes miqësore kundër egjiptianëve të Al Ahly, të fituar 4-1 nga spanjollët në “Wembley”, ka folur për Ibrahimoviçin. I pyetur nëse suedezi ka firmosur, ai tha: “Thuajse. Më në fund është shumë pranë firmosjes, që të jetë lojtari ynë. Ai është një lojtar i shkëlqyer dhe ne jemi këtu për ta ndihmuar që të luajë sa më shpejt në nivelin që i takon.
Pres që ai të japë maksimumin për ne. Nuk dua të bëj komente të tjera para se të jepen deklaratat zyrtare nga klubi. Shpresoj se do të adaptohet shpejt me futbollin spanjoll.” Barcelona është në merkato edhe për mesfushorin argjentinas të Liverpulit, Havier Maskerano, por Juste ka këmbëngulur se ende nuk është arritur marrëveshja me anglezët. “Mund të konfirmoj se Havier Maskerano është një lojtar fantastik, se më pëlqen shumë personalisht, por ende është me Liverpulin. Në të ardhmen nuk i dihet.”
Barcelona ka rënë dakord t’i paguajë Interit 45 milionë euro plus sulmuesin kamerunas Samuel Eto në shkëmbim për Ibrahimoviçin, ndërkohë që edhe Aleksandër Hleb do t’u bashkohet italianëve në formë huazimi. Mesfushori i Barçës, Jaja Ture, beson se ish-sulmuesi i Ajaksit dhe i Juventusit do të jetë një përforcim më se i mirëpritur te kampionët e Spanjës dhe të Europës. “Ai është një sulmues shtatlartë dhe shumë i shkathët. Karakteristikat e tij do të na ndihmojnë shumë”, ka thënë Ture.