19 korrik 2009

Ibra pranë Barcelonës, Morati jep “OK”-in

Shtypi spanjoll e sheh të sigurt kalimin e suedezit në Spanjë me 40 milionë euro plus Etonë

Barcelona është hedhur në sulm për Zllatan Ibrahimoviçin. Presidenti i katalanasve Johan Laporta, ka shkuar në Milano i shoqëruar nga drejtori i përgjitshëm Tksiki Begirishtajn, dhe është takuar me Masimo Moratin për të negociuar transferimin e sulmuesit suedez në Spanjë. Vetë presidenti zikaltër ka konfirmuar takimin, në të cilin është folur edhe për Etonë. Klubi spanjoll, në fakt, do të ishte i gatshëm të ofronte 48 milionë euro plus lojtarin kamerunas dhe mesfushorin bjellorus Hleb. Laporta dhe Begirishtajn kanë zbarkuar në mesditën e djeshme në Milano me një avion privat, duke u kthyer nga një udhëtim në Ukrainë ku kishin shkuar për t’u interesuar për një lojtar të Shaktjar Donjetskut. Prezenca në Milano e dy prej figurave kryesore të Barcelonës ka bërë menjëherë të mendohet për një sulm tjetër për Ibrën. Presidenti katalanas është ritakuar me presidentin Morati pas takimit të zhvilluar në ditët e para të muajit qershor. Të dy kanë folur për Ibrahimoviçin, Etonë dhe Hlebin dhe duket se këtë herë marrëveshja, edhe pse shumë e komplikuar, ka shumë mundësi që, të paktën, të diskutohet.

MORATI SIGURON - Marrëveshja për shitjen e Ibrahimoviçit tek Barcelona është “në rrugën e duhur” dhe nga ana e katalanasve ka ardhur “një ofertë ekonomike e rëndësishme”. Këtë e ka thënë presidenti i Interit, Masimo Morati. Numri 1 i zikaltërve nuk ka pranuar të zbulojë shifrën, që është ofruar nga Barça, por ka thënë se në këtë marrëveshje do të përfshihet edhe kamerunasi Eto, “që nuk vlen sa Ibra”. Më pas presidenti i Interit e ka vlerësuar si një “goditje të bukur” marrjen e Luçios nga Bajerni i Mynihut dhe ka siguruar se trajneri Hoze Mourinjo është në dijeni të të gjitha lëvizjeve që klubi bën në merkato.

MENAXHERI I ETOSE - Barça nuk është e autorizuar të negociojë me Interin në emër të Etosë. Këtë e ka bërë të ditur menaxheri i lojtarit, Hoze Maria Mesajes. Sipas tij, asnjë nga drejtuesit e Interit nuk ka kontaktuar me sulmuesin e katalanasve për të negociuar kalimin e tij të mundshëm tek klubi i Moratit. Menaxheri ka siguruar, ndër të tjera, se nuk ka marrë “asnjë autorizim nga Samuel Eto për të negociuar me klubin italian”. E vetmja e re e ditëve të fundit që ka të bëjë me kamerunasin, sipas Mesajes, është takimi që Eto ka zhvilluar me Laportën, edhe pse përfaqësuesi i lojtarit nuk ka pranuar të zbulojë arsyen e këtij takimi. Pas rikthimit të tij në Spanjë pas takimit me Moratin, Johan Laporta mësohet se ka konfirmuar, nga sa bëhet e ditur nga shtypi iberik, marrëveshjen e arritur për transferimin e Ibrahimoviçit tek Barcelona, në këmbim të një shume të përafërt me 40 milionë euro, plus trasferimin e Samuel Etosë dhe atë të Aleksander Hlebit tek skuadra e Interit.