Milano – Vështirësitë e hasura për portugezin Deko kanë rritur kuotat e bjellorusit të Barcelonës Aleksandër Hleb.
Me 4,5 milionë të fituara nga shitja e Maxwell dhe 6 që janë rrugës nga shitja e Obinës te Napoli, merkato e Interit është gati në nisje. Pas insistimeve të Mourinjos për dyshen portugeze të Chelseat Deko-Karvajo dhe kërkesës së tepruar të 16 milionëve nga Abramoviç, Morati duket se do të vërë në zbatim planin B. Mbrëmë vonë u zyrtarizua blerja e mbrojtësit brazilian Lusio, ideja e fantazistit Hleb ka nisur të qarkullojë nëpër zyrat e drejtuesve zikaltër. Bjellorusi kërkohej nga Interi qysh në kohët e Roberto Mancinit, por Arsenali ia shiti Barcelonës dhe Interi mbeti duarbosh. Por tani kushte kanë ndryshuar; Hleb te Barcelona ngroh stolin, shumë madje, dhe pas marrëveshjes së arritur për Maxwell, ka mundësi që Barça t’i japë Moratit fantazistin e kërkuar, por në huazim. Morati nuk ka ndërmend të shpenzojë para.