17 korrik 2009

INTERVISTA: Melo prezantohet: Dua titullin dhe Champions-in

Felipe Melo ka mbërritur me sukses në Itali, pasi ka kryer një udhëtim më të gjatë se tetë orësh, duke sfiduar kështu nervozizmin e qiellit dhe mallkimet e tifozerisë vjollcë, të cilat janë të shumta në muret e Firences dhe të stadiumit “Artemio Franki”: “Melo, Zoti shkarkoftë mbi ty një rrufe vrasëse!” Por fatmirësisht, gjatë dy ditëve të kaluara, Zoti ka pasur punë më të rëndësishme për të bërë dhe avioni transoqeanik i Felipe Melos ka mbërritur në destinacion pa asnjë problem. Pasi mbërriti në Romë në mesditën e së hënës, braziliani ka marrë një tjetër avion për t’iu drejtuar Peruxhias dhe më pas në orën 11 të mbrëmjes ka zbarkuar në Torino. Tani mesfushori brazilian është një lojtar i Juventusit, pasi dje ka kaluar me sukses të gjitha analizat mjekësore dhe ka nënshkruar kontratën e tij pesëvjeçare me bardhezinjtë. Fjalët e para të tij si një lojtar juventin ka qenë të forta, ashtu siç është edhe karakteri i tij. “Tani dua titullin kampion, sepse nëse nuk e fitojmë, do të tërbohem kundër gjithë shokëve të rinj të skuadrës”, shprehet braziliani.

-Mirëserdhët Felipe Melo! Si ka shkuar udhëtimi juaj?

Tani jam njeriu më i lumtur në botë.

-Shkëlqyeshëm, por po ju pyesim për udhëtimin tuaj të gjatë.

Shumë normal.

-Ju keni mbërritur tashmë dhe si një udhëtar që keni mbërritur nga shumë larg, do t’i dërgoni një “kartolinë” tifozëve të Juventusit? Në Pincolo, të gjithë tashmë po ju presin me padurim dhe janë të ekzaltuar nga blerja juaj.

Ma kanë konfirmuar një gjë të tillë dhe realisht edhe unë jam shumë i emocionuar për një fakt të tillë. Ngrohtësia dhe mikpritja e tyre janë mënyra më e mirë për të filluar pozitivisht këtë aventurë eksituese. Duhet të punojmë të gjithë në maksimumin e forcave për ta shpallur Juventusin kampion, sepse nëse një gjë e tillë nuk arrihet në fund të sezonit të ardhshëm, unë do të nervozohem kundër shokëve të rinj.

-Tani duam një urim edhe për tifozët e Fiorentinës.

Dua t’i falënderoj për atë çfarë më kanë dhuruar në sezonin e kaluar dhe gjithmonë do të jenë në zemrën time. Më vjen shumë keq dhe e kuptoj që shumë prej tyre tashmë më kanë marrë inat, por më mirë kështu. Transferimi im te Juventusi ishte një marrëveshje shumë fitimprurëse për klubin e Fiorentinës, sepse nga shitja ime ka fituar miliona euro, të cilat mund t’i investojë në merkato për përforcimin e mëtejshëm të skuadrës.

-Kemi mësuar se i keni shkruar një letër Korvinos dhe Prandelit, një gjest antik i një personi fisnik, e vërtetë?

Është e saktë, por letrën nuk ia kam dërguar ende, por në të janë të gjitha falënderimet e mundshme për punën dhe besimin e tyre kundrejt aftësive të mia. Korvino më zbuloi, besoi, shpenzoi dhe në fund fitoi nga unë. Prandeli besoi dhe më dorëzoi një fanellë titullari dhe e falënderoj. Por tani unë jam personi më i lumtur në botë. Kam një familje të gjerë, një bashkëshorte dhe tre fëmijë të mrekullueshëm dhe luaj për Juventusin. Gjithsesi, kjo lumturi e imja është edhe meritë e shokëve të mi dhe drejtuesve të Fiorentinës.

-Për ju po fillon një sezon special. Titull kampion, apo Ligën e Kampioneve?

Titullin dhe Championsin, sepse me Juventusin mund të fitojmë gjithçka. Por për të bërë një gjë të tillë duhet të punojmë bindshëm.

-Ju mbërritët në Itali dhe thatë: Dua të fitoj fanellën e Brazilit...

Kur thash këtë dikush qeshte, por unë jam një person me një karakter të fortë, por Brazilin e fitova edhe falë besimit që Dunga më ofroi.

-Me Juventusin kërkoni titullin dhe Ligën e Kampioneve, por kjo do të thotë se me Brazilin kërkoni fitimin e Botërorit 2010?

Padyshim, por fillimisht dua të fitoj këtë sezon me Juven, pastaj me “Seleçaon”. Ne brazilianët e dimë mirë se pa sakrificë nuk arrihet të bëhet asgjë.

-Është e vërtetë që fillimisht jeni aktivizuar si sulmues?

Në Brazil po, por në Spanjë ndryshova pozicion. Gjithashtu jam aktivizuar edhe në rolin e mbrojtësit të djathtë, por tani, fatmirësisht bëj mesfushorin. Tani është pikërisht ky roli im ideal.

-Na falni për numrat, por ju pyesim, për Melon është më mirë skema 4-2-3-1 apo 4-3-1-2?

Kam luajtur me të gjitha modulet e mundshme, ndaj nuk kam preferenca. Unë preferoj të luaj, por për skemat vendos trajneri Ferrara.

-Gjatë Kupës së Konfederatave keni biseduar me ndonjë nga shokët tuaj të ardhshëm juventinë?

Kam njohur disa nga ata, por mbi të gjitha kam lidhur një miqësi me Xhixhi Bufonin.

-Si shkuan vizitat tuaja mjekësore?

Shkëlqyeshëm, faleminderit.

-Numri juaj i fanellës?

Nëse “88”-ta është e lira, do vazhdoj ta vesh edhe te Juventusi.

-Ju keni tre qen Labrador, ngjyrë shampanjë...

Saktësisht janë të bardhë, dhe tani do të blej gjithashtu tre të tjerë të zinj, por fillimisht duhet të marr edhe miratimin e bashkëshortes sime, Roberta.

-Kolegët tanë gazetarë kanë dëgjuar drejtorin sportiv, Alesio Seko, që gjatë bisedimeve për blerjen tuaj pëshpëriste: “Nëse blejmë Felipe Melon fitojmë titullin kampion”...

Tani e kanë blerë dhe të shohim çfarë do të ndodhë... Falënderoj shumë Blankun dhe Sekon dhe të gjithë ata që janë interesuar për mua. Po pres me padurim të zbres në fushën e lojës. Jam shumë i bindur se nëse punojmë me të njëjtin ritëm si grup, Juventusi nuk është inferior kundrejt Interit, apo skuadrave të mëdha Evropiane.