16 korrik 2009

Gasperini premton një Xhenoa të “re

Trajneri i kuqebluve tregon ambicjet e klubit, që vjet ishte surpriza e kampionatit italian
Po përgatitet të përjetojë një tjetër sezon si protagonist, Xhian Piero Gasperini. Dhe gjithnjë në stolin e Xhenoas, pasi “u përplas” prej javësh mes Milanit dhe Juventusit. Zgjodhi të vazhdojë një projekt të rëndësishëm, që i ka dhënë frytet e para dhe ka akoma shumë për të dhënë. Kuqeblutë janë ambiciozë dhe vazhdojnë ta tregojnë çdo ditë pavarësisht nga shitjet e rëndësishme.
Dhe vetë Gasperini siguron tifozët gjenovezë mbi synimet e klubit: “Kishim dëshira të veçanta, por kemi riinvestuar mirë, - tha trajneri i Xhenoas. - Me Preciozin kam një raport të shkëlqyer, ai më ka dhënë shumë besim dhe po punojmë shumë mirë. Kemi elementë të rëndësishëm, që po përfshihen menjëherë në mendësinë e skuadrës. Këtu janë të gjithë të gatshëm të nisen me shpejtësi të madhe, pikërisht kjo më pëlqen mua.
Kemi shumë ide dhe po studiojmë disa të reja për të befasuar sërish”. Ndoshta me blerje të tjera si ajo e Tiago Motës vjet, ose si ajo që do të sjellë Rodrigo Palasion në Gjenovë. Argjentinasi është një kampion, por Gasperini vëren: “Është i fortë, do të përshtatet, ndryshe nuk luan. A do të vijë Pelè dhe Panuçi? Unë s’kam thënë asnjëherë jo, më keni dëgjuar ta them ndonjëherë një gjë të tillë? Me sa duket e thonë të tjerë në vendin tim. Të presim e të shohim, sepse merkatoja mbyllet me 31 gusht. Pra, ka akoma kohë”.