17 korrik 2009
Benitez kërkon perfeksion
Menaxheri i Liverpoolit, Rafa Benitez, ka pranuar se ekipi i tij duhet të jetë pothuajse perfekt për të fituar titullin në Premierligë. Reds përfunduan në pozitën e dytë në sezonin e kaluar, edhe pse mblodhën rekord të klubit prej 86 pikëve në Premierligë. Liverpool synon të përfundojë pritjen 20 vjeçare për kurorën e kampionatit dhe Benitez beson se ekipi është mjaft i fuqishëm për të mposhtur cilindo nga rivalët e tij, por thekson se ka ende hapësirë për përmirësim. “Ju duhet të bëni gjithçka pothuajse në mënyrë të përkryer sepse në Premierligë nuk guxoni të humbni shumë ndeshje”, tha Benitez për Liverpool Echo. “Ju nevojitet atmosferë e mirë dhe tani kemi ekip të fuqishëm. Futbollistët kuptohen shumë mirë mes vete. Gjëja më e rëndësishme për mua është të jemi konkurrent”, shtoi ai. Strategu portugez në edicionin e kaluar është mposhtur në garë për titull nga Manchester United, por për sezonin e ri ka përmendur rrezikun edhe nga klubet tjera të ‘katërshes së madhe’. “Duhet të jemi aty në mesin e katër ekipeve të para dhe të afrohemi, e pastaj do të shohim se çka ndodh. Chelsea, Manchester United dhe Arsenal janë shumë të fuqishëm, por këtë vit do të jetë edhe Tottenham, Aston Villa dhe Manchester City. Është pa dyshim liga më e vështirë”, shtoi Benitez i cili megjithatë beson në forcën e ekipit të tij. “Ne jemi mjaft të fuqishëm për t’i mposhtur të gjithë, andaj duhet të arrijmë vazhdimësi. Sezonin e kaluar kemi mbledhur 86 pikë – rekord i klubit në Premierligë – por ende nuk duhet të përmirësohemi. Kam besim të madh”, përfundoi ai. Liverpool nuk arriti të sigurojë fitore në ndeshjen e parë miqësore në përgatitje për sezonin e ri, pas barazimit 0-0 kundër St Gallen në Zvicër. Mirëpo, përforcimi i ri Glen Johnson bëri debutim të mirë. Johnson i transferuar për 17 milionë funta nga Portsmouth, u inkuadrua në pjesën e dytë në pozitë të pazakontë për të si mbrojtës i majtë, pasi Benitez ka opsione të kufizuara në atë rol pas lëndimit të gjurit të Fabio Aurelios. Mirëpo, Johnson ishte shumë afër të realizonte pak minuta pas inkuadrimit, kur depërtoi dhe goditi pranë portës. Liverpoolit i mungoi kontingjenti spanjoll si dhe argjentinasi Javier Mascherano, por kjo nuk parandaloi komentet rreth të ardhmes së mesfushorit Xabi Alonso, i cili kërkohet nga Real Madrid. Benitez u desh të ballafaqohej me transparente ‘Mos lejo largimin e Xabit’ të shfaqura nga tifozët e Liverpoolit.