27 korrik 2009

Eto zbarkon sot, debutimi në Superkupë

Sulmuesi kamerunas do të zhvillojë sot vizitat mjekësore dhe do të nënshkruajë kontratën 5-vjeçare
Sot në mëngjes Samuel Eto do të zbarkojë në Milano dhe më në fund do të nisë aventurën e tij me fanellën zikaltër. Sulmuesi 28-vjeçar, ditën e premte, është larguar nga Saint Trope, ku ndodhej me pushime me familjen e tij, për t’u kthyer në Kamerun, duke kaluar nga Parisi. Dje ka bërë rrugën e kundërt dhe sot do të jetë në Itali.
VIZITAT E PREZANTIMI - Lojtari, i cili është vendimtar në finalet e Champions Ligës (dy gola në dy finale), do t’i nënshtrohet vizitave mjekësore. Dje është kthyer nga Amerika dhe doktori Franko Kombi. Pasi të kalohen vizitat mjekësore, Eto, i cili të shtunën u ka bërë të ditur miqve të tij se pret me padurim për të filluar aventurën e tij të re, do të firmosë kontratën 5-vjeçare (”Ka patur momente të vështira gjatë arritjes së kësaj marrëveshjeje. Bonusi vetëm për Championsin? Ka qenë një ide e Etosë”, ka bërë të ditur menaxheri Vigoreli), dhe mund të zhvillojë takimin e tij të parë me Masimo Moratin. Por kjo nuk është akoma e sigurt, pasi presidenti zikaltër ndodhet në Amerikë dhe nuk dihet nëse sot do të rikthehet në Itali. Përndryshe takimi do të zhvillohet ditën e nesërme, dita kur është parashikuar dhe prezantimi i Etosë e Hlebit.
MONTEKARLO - Të martën do të zbarkojë në Milano edhe skuadra, që do të kthehet nga turneu i zhvilluar në SHBA. Duke parë se grupi i lojtarëve do të ketë në dispozicion një ditë të lirë, Eto dhe Hleb do të bashkohen me shokët e rinj vetëm të mërkurën në mëngjes, për të zhvilluar seancën stërvitore para nisjes për në Montekarlo, ku të enjten në mbrëmje do të zhvillohet ndeshja kundër Monakos, e vlefshme për trofeun Pireli. Ndryshe nga Hleb, i cili stërvitet prej disa ditësh me Barcelonën, Eto ka shumë mundësi që të mungojë në këtë takim. “Luani”, të cilit Barça i kishte dhënë një javë më shumë për pushime, mund të qëndrojë në Milano për t’u stërvitur dhe për të vizituar disa apartamente. Ndërkohë, do të niset bashkë me pjesën tjetër të ekipit për në Pekin më 3 gusht dhe, nëse në ditët në vazhdim do të japë shenja pozitive, mund të luajë një pjesë të ndeshjes së Superkupës së Italisë më 8 gusht, kundër Lacios.
LARGIMET - Pasi është mbyllur me sukses një operacion, që ka sjellë shkëmbimin e shekullit, drejtori i përgjithshëm Marko Branka dhe këshilltari i merkatos Lele Oriali prej ditës së sotme do të vihen në punë për të thjeshtuar organikën e Interit, që ka shumë elementë. Pasi ka dështuar kalimi i Obinas te Napoli, tani diskutohet transferimi i 22-vjeçarit nigerian, me variantin e borxhit, tek grekët e Olimpiakosit. Për një tjetër lojtar që nuk bën më pjesë në planet e Mourinjos ka ardhur një interesim nga Totenhemi. “Vieira do të vijë tek ne për sfidën që paraqet kjo mundësi dhe jo për paratë, - ka thënë trajneri i skuadrës angleze, Herri Rednap - sepse mund të fitonte më shumë nëse do të qëndronte tek Interi. Jam shumë i vendosur për ta marrë në ekipin tonë”.
ARNAUTOVIÇ - Kjo do të jetë java vendimtare edhe për Marko Arnautoviçin, sulmuesin 20-vjeçar austriak, që prej ditësh ndodhet në Milano për të marrë trajtimin e nevojshëm për frakturën në këmbë.