16 korrik 2009
Estudiantes fiton Copa Libertadores
Estudiantes de La Plata befasoi ekipin brazilian Cruzeiro të mërkurën duke fituar titullin më të rëndësishëm të klubeve nga Amerika e Jugut, Copa Libertadores. Fitorja 2-1 nga Estudiantes shënoi triumfin e parë në Copa nga një ekip argjentinas pas 39 viteve, ndërsa erdhi pas një ndeshjeje të tensionuar, ku golat u shënuan në pjesën e dytë. Ekipet luajtën baras 0-0 në ndeshjen e javës së kaluar në Argjentinë. Ishte arritje e jashtëzakonshme për mesfushorin e Estudiantes Juan Sebastian Veron, i cili përsëriti suksesin e babait Juan Ramon, që ishte pjesë e ekipit që fitoi tre titujt e kaluar të klubit. “Le të kënaqemi më këtë titull – është për tifozët. Është i veçantë”, tha ish mesfushori i Lazios dhe i Manchester Unitedit. Henrique i Cruzeiros shënoi golin e parë të ndeshjes në minutën e 52-të, kur goditja e tij nga distanca u devijua nga mbrojtësi i Estudiantes, Leandro Desabato. Por, pesë minuta më vonë, Gaston Fernandes barazoi rezultatin nga afërsia duke kaluar ekipin argjentinas në epërsi për shkak të rregullit të golit mysafir. Boselli realizoi nga korneri pas kromimit nga kapiteni Juan Sebastian Veron në minutën e 78-të për triumfin në Copa. Paraqitja në finalen e këtij viti shënoi herën e parë për Estudiantes pas 39 viteve. Klubi ka fituar Copa Libertadores për tri vite të njëpasnjëshme 1968-1970. Këtë vit po ashtu është shënuar 50 vjetori i Copa Libertadores, garë e cila për klubet nga Amerika e Jugut ka rëndësinë e Ligës së Kampionëve për Evropë. Libertadores është gara më prestigjioze e klubeve nga Amerika e Jugut, ku paraqiten 32 ekipet më të mira të kontinentit. Me vite kanë dominuar ekipet nga Argjentina, ku një ekip nga ky shtet është paraqitur në çdo finale nga 1963 deri 1979, ndërsa gjatë asaj periudhe Independiente nga Buenos Aires fitoi gjashtë tituj. Nga vitet e hershme të 90-ta kanë qenë klubet braziliane që kanë dominuar. Brazili solli 10 finalistë në 10 vitet e fundit, por nga krijimi i garës secili shtet, përveç Perusë dhe Meksikës, ka pasur fitues.