Kapiteni bardhezi mendon se rivalët zikaltër nuk janë dobësuar me largimin e sulmuesit IbrahimoviçMjafton të ulesh buzë lumit të Guadalkivir, lumi i vetëm ku mund të lundrosh në të gjithë Spanjën. Mjafton të ulesh dhe të presësh. Funksionon gjithmonë kështu, edhe në Andaluzi, në një fushë të serisë së tretë ku Juventusi përgatitet për “Kupën e Paqes”. Por, më parë ka folur kapiteni i bardhezinjve Alesandro Del Piero.
IBRA ME PERKTHIM - Shikime mirëkuptimi me trajnerin e tij, mirësjellja e zakonshme dhe asnjë nevojë për të bërë deklarata apo premtime të bujshme. Duhet pritur, këtë të mëson Guadalkivir. Në Loren, në festën e madhe në nder të Platinisë, kapiteni juventin është pyetur për rastin e Ibrahimoviçit dhe ai është përgjigjur kështu: “Ibra? Nëse do të largohet kampionati italian do të humbasë një kampion. Të shohim se çfarë do të ndodhë, edhe unë jam në pritje si të gjithë”. Tashmë, ka ndodhur: Ibra është një lojtar i Barçës, Eto i Interit. Mjaftonte të pritej, siç ka bërë kapiteni. Eshtë e vërtetë edhe se tani diferenca midis Interit dhe Juventusit është ulur ndjeshëm. “Pa Ibrën Interi dhe kampionati italian humbin një kampion. Por me Etonë Interi dhe kampionati italian do të kenë një kampion më shumë”. Nuk do të ishte i nevojshëm as përkthimi, edhe pse me rastin e Kupës së Paqes, që zhvillohet në Sevilje, përkthyesja ka qenë e pranishme. Dhe atëherë, përkthimi: nuk ka rëndësi se Ibra nuk është më, unë mendoj për Juventusin dhe sigurisht nuk do të arrini të më shkëpusni ndonjë premtim, as në një sallë për shtyp si kjo këtu e mbushur plot vetëm me gazetarë të Koresë së Jugut, që janë edhe ata që kanë sponsorizuar këtë turne.
MODULI - Tani është momenti që spektakli të fillojë, pavarësisht se Diego do të mungojë edhe kundër Seviljes dhe, me shumë mundësi, Del Piero do të duhet të aktivizohet edhe një herë si mesfushor i avancuar. Ai, që është një sulmues i parë, maksimumi një sulmues i dytë, ka pranuar këtë rol të ri dhe ka dhuruar një surprizë të parë. Nuk është një mesfushor i avancuar, nuk është se ky pozicion i pëlqen shumë, por edhe në këtë sistemim, në provat e para të bardhezinjve, ka treguar se është lojtari më në formë. Çfarë do të thotë? “Thjesht se edhe gjatë këtyre testeve ekziston mundësia për t’u përmirësuar, të ndjekësh udhëzimet e trajnerit dhe të mësosh diçka”, ka thënë Del Piero.
ESHTE EDHE BUFON - Eshtë arti i atij që punon dhe di të presë, edhe kur të gjithë të japin për të mbaruar. E ka bërë edhe Mishel Platini, në verën e vitit 2004-r. Të dielën e kaluar numri një i UEFA-s ka ndryshuar mendim: “Unë në moshën e Del Pieros kam qenë i mbaruar, ndërsa ai vazhdon të luajë dhe kjo është një gjë e mirë për Juventusin”. Me pak fjalë, shumë falje dhe polemika e vjetër është lënë pas krahëve. Del Piero qesh: “Faljet nuk kanë qenë të nevojshme, e kam falënderuar Platininë dhe gjithsesi ishim sqaruar më parë”. Mjaftonte të pritej. E mendon në të njëjtën mënyrë edhe Xhixhi Bufon, që ndoshta është njeriu më i padurueshëm që është parë ndonjëherë në portë. Por këtë herë ka frenuar: “Kam ndjesi të mira. Falë punës së madhe të bërë nga klubi, skuadra është përforcuar. Por kjo nuk mjafton për të fituar, duhen edhe shumë elementë të tjerë. Duhet të punojmë akoma shumë për të marrë rezultate. Tani duhet të mendojmë vetëm për t’u stërvitur siç duhet, vetëm pastaj do të kuptojmë deri ku mund të arrijmë”, ka thënë portieri bardhezi.