25 korrik 2009

Rumenige: Frenk Riberi nuk ka klauzolë largimi

Shefi i klubit bavarez ka hedhur poshtë lajmet se lojtari francez do të lejohet të largohet
Shpresat e çdo klubi për të siguruar shërbimet e mesfushorit të çmuar të Bajernit të Mynihut si tani edhe në të ardhmen janë shuar tashmë që është bërë e qartë se francezi nuk ka në kontratën e tij nodnjë klauzolë, që e lejon të largohet nga Bajerni i Mynihut para fundit të kontratës së tij. Drejtuesi i klubit, Karl‑Hainc Rumenige, ka hedhur poshtë të gjitha spekulimet se klubi bavarez ka rënë dakord për të futur në kontratën e Riberisë një klauzolë që do t’i lejonte atij të largohej verën e ardhshme. “Asnjë lojtar i Bajernit nuk ka një klauzolë të tillë largimi. Madje as nuk mund të diskutohet një gjë e tillë”, ka thënë ai në një intervistë për gazetën gjermane “TZ”. “Nëse ndonjë klub ofron aq sa kërkon Bajerni, opsioni do të merret në shqyrtim. Por klauzolë largimi nuk do të ketë kurrë. Përse duhet ta lëmë hapur derën për lojtarët? Lojtarët duhet ta dinë se me kë kanë nënshkruar kontratën. Për atë arsye, ne nuk jemi aspak të shqetësuar.” Kur e kanë pyetur nëse Riberi do të ishte besnik në të ardhmen ndaj klubit bavarez dhe a do të kishte në të ardhmen një klauzolë të mundshme në kontratën e tij aktuale, Rumenige u përgjigj: “Nuk mund të jap një përgjigje të drejtpërdrejtë tani. Nuk e kemi zakon të flasim për kontratat publikisht.” Në fund, drejtuesi i lartë i Bajernit i ka siguruar tifozët se loja e mesfushorit 26‑vjeçar nuk do të ndikohet nga refuzimi i klubit për ta lënë të largohet. “Ai është model i profesionalizmit, ka karakter të mirë dhe nuk ka krijuar kurrë probleme për klubin”, ka shtuar Rumenige.
Bajerni synon titullin - Sulmuesi Miroslav Klose e ka bërë të qartë se Bajerni kërkon titullin kampion këtë sezon. Vjet, Bajerni ia dorëzoi kurorën Volfsburgut, por tani janë gati ta rimarrin. “Nuk kemi pse i biem përqark. Objektivi ynë është Bundesliga. Nuk mund të jemi të kënaqur për vendin e dytë, vjet. Krahas titullit duam të shkojmë sa më larg në kompeticione të tjera. Gjëja më kritike për ne është të vëmë në praktikë ato që trajneri po na thotë të bëjmë. Rezultatet në fazën përgatitore nuk janë aq të parëndësishme, por nuk janë prioritet. Mendoj se mund të jemi të kënaqur me fazën e deritanishme.” Sulmuesi i përfaqësueses gjermane ka folur edhe për trajnerin Luis van Gal. “Secili trajner ka filozofinë e vet të punës. Luis van Gal është shumë i ndryshëm nga të tjerët, pasi punojmë shumë me topin.”